Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, prezantoi sot draftin e Kodit te ri penal, duke deklaruar se Kodi Penal aktual nuk i përgjigjet më sfidave të kohës. Sipas Manjës, ndryshimi i Kodit Penal është jo vetëm i domosdoshëm, por në kushtet aktuale, i pashmangshëm.
Ministri sqaroi se puna për një draft të ri kishte nisur që në vitin 2019, por vetëm në shkurt 2023 u ngarkua zyrtarisht një grup i pavarur pune, i përbërë nga ekspertë të njohur të fushës, nën drejtimin e profesor Arben Rakipit, për të hartuar projektin e Kodit të ri Penal.
Sipas Manjës, ky draft nuk është produkt i Ministrisë së Drejtësisë apo i qeverisë, por vepër ekskluzive e grupit të punës, ndërsa ministria ka luajtur vetëm rol organizues dhe mbështetës në të gjitha fazat e punës dhe do ta vazhdojë këtë rol edhe gjatë procesit të konsultimit publik.
“Autorësia e draftit mbetet në pronësi të grupit të punës, edhe gjatë konsultimit publik, ndërsa në një fazë të mëvonshme, projekti do të marrë vulën e certifikimit në Bruksel. Vetëm pas kësaj procedure, do të vijojmë me hapat institucionalë për miratimin e tij në Kuvend, me shumicë të cilësuar”, sqaroi ministri.
Në përfundim, Manja i drejtoi një ftesë të veçantë opozitës parlamentare, duke e ftuar të marrë pjesë aktive dhe të kontribuojë me ekspertizë dhe propozime konkrete në tryezat e konsultimit publik, për të ndërtuar një Kod Penal që reflekton interesin dhe nevojat e të gjithë shoqërisë.
Ulsi Manja: Kodi aktual nuk i përgjigjet më sfidave të kohës dhe zbatimi i tij paraqet vështirësi reale për gjyqtaret, prokurorët dhe avokatët. Riformatimi konceptual dhe strukturor është jo vetëm i domosdoshëm, por në rrethanat ku jemi është edhe i pashmangshëm
Puna për të patuar një draft të ri të kodit penal kishte filluar që në 2019, por vetëm në shkurt 2023 ministri i drejtësisë ngarkoi këtë grup pune të pavarur dhe profesional me ekspertë të njehur nën drejtimin e profesor Arben Rakipit për të hartuar këtë projekt të kodit të ri penal që nga sot do të jetë për konsultim publik.
Ky draft nuk është produkt i ministrisë së Drejtësisë apo qeverisë. Ministria do ketë rol organizuar dhe mbështetës, ndërsa autorësia do të mbetet në pronësi të grupit të punës në çdo fazë të konsultimit publik. Më pas drafti do të marrë vulën e certifikimit në Bruksel dhe vetëm atëherë ministria e Drejtësisë dhe qeveria do të vijojë me procedurat e miratimit parlamentar me shumicë të cilësuar.
Një ftesë të veçantë dua ti drejtoj opozitës parlamentare, të kontribuojë me ekspertizë dhe pjesëmarrje aktive në tryezat e konsultimit publik.





