TikTok ka prezantuar një sërë përditësimesh të reja për të rritur sigurinë e përdoruesve të rinj dhe për t’u dhënë prindërve më shumë mundësi kontrolli mbi përmbajtjen që fëmijët e tyre konsumojnë në platformë.

Kompania tha se këto veçori synojnë të krijojnë një mjedis më të sigurt online, veçanërisht për adoleshentët, në një kohë kur rregullatorët evropianë po shqyrtojnë kufizime të reja për përdorimin e rrjeteve sociale nga të miturit.

Përmes përmirësimeve në mjetin “Family Pairing”, prindërit do të mund të marrin njoftime kur fëmijët e tyre postojnë përmbajtje publike, të kontrollojnë cilësimet e privatësisë dhe të fshehin llogari specifike nga feed-i i tyre.

Veçanërisht në Evropë, TikTok do t’u japë mundësi prindërve të bllokojnë qasjen e fëmijëve ndaj disa profileve.

“Dëgjuam nga prindërit se ata e dinë më mirë se cila përmbajtje është e përshtatshme për adoleshentin e tyre”, tha Suzy Loftus, zyrtare e sigurisë së TikTok US, duke theksuar se ndryshimet vijnë si përgjigje ndaj shqetësimeve të prindërve për përmbajtjen e dëmshme dhe ndikimet negative psikologjike.

Përveç kontrolleve prindërore, aplikacioni ka lançuar një modul të ri mirëqenieje digjitale që synon të edukojë përdoruesit për zakone të shëndetshme online.

Funksione të reja si “misionet e mirëqenies” do të ndihmojnë në kufizimin e kohës para ekranit dhe promovimin e balancës mendore.

TikTok ka njoftuar edhe veçori për të mbështetur krijuesit e përmbajtjes, përfshirë Modalitetin e Kujdesit për Krijuesin që bllokon komentet fyese automatikisht.

Po ashtu, gjatë transmetimeve të drejtpërdrejta, krijuesit do të kenë mundësi të çaktivizojnë fjalë, fraza apo emoji të caktuara në kohë reale.

Në përpjekje për të luftuar dezinformimin, kompania po teston në SHBA një opsion të ri të quajtur “Shënime në Fusnota”, i cili u lejon përdoruesve të shtojnë burime dhe kontekst informativ poshtë videove të publikuara – një qasje e ngjashme me Shënimet e Komunitetit në X dhe Facebook.

TikTok ka paralajmëruar se këto veçori do të jenë të disponueshme në mbarë botën gjatë muajve të ardhshëm.