Një mbrëmje verore, ndryshe nga shumë të tjera, ishte ajo e së hënës në sheshhin “Liria” dhe bulevardin “Epidamn” të Durrësit. Orkestra Frymore e qytetit dhuroi për artdashësit dhe qytetarët një koncert mbresëlënës nën drejtimin e dirigjentit Saimir Kalaja.

Marshet festive, të ekzekutuara në shesh por edhe përgjatë bulevardit më të frekuentuar të qytetit, krijuan një atmosferë të veçantë, që u mirëprit nga të pranishmit.

Dirigjenti i Orkestrës Frymore tha se ky koncert vjen në këtë moment për shkak te sezonit turistik dhe turistëve të shumtë nga e gjithë bota që mirëpret qyteti bregdetar.

Publiku pati mundësinë të shijojë një repertor të pasur me vepra të njohura nga kompozitorë shqiptarë dhe të huaj, si Prenk Jakova, Feim Ibrahimi, Georges Bizet, Dmitri Shostakovich, Ludwig van Beethoven, Ennio Morricone, The Beatles e të tjerë.

Një moment i veçantë i mbrëmjes ishte interpretimi i solistes Juna Ruçi, e cila emocionoi publikun me zërin dhe interpretimin e saj artistik.

Ky koncert është një tjetër dëshmi e angazhimit të artistëve të qytetit dhe institucioneve kulturore për të gjallëruar jetën artistike, sidomos gjatë sezonit veror.

M.B.