Me magjinë e zërit të saj, sopranoja Inva Mula pritet t’i dhurojë publikut mbrëmjen e sotme në amfiteatrin e Durrësit një natë plot spektakël dhe repertor të përzgjedhur.

Ne e gjetëm ndërsa po bënte provat finale bashkë me dy vëllezërit instrumentistë mjaft të talentuar Ekland dhe Redi Hasa. Së bashku me korin e fëmijëve Okarina, ata vijnë në amfiteatrin antik me koncertin “Meloditë e Mesdheut”, një përmbledhje e disa prej veprave më të mira operistike të repertorit shqiptar dhe të huaj.

Për Invën, mbrëmja në amfiteatër ka një rëndësi të veçantë.

“Durrësi të frymëzon. Unë e kam në zemër Durrësin, sepse që e vogël ka qenë destinacioni i vetëm i pushimeve dhe m’u kthye në një destinacion shpirtëror”,- thotë soprano e famshme.

I të njëjtit mendim është edhe pianisti Ekland Hasa, sepse edhe për të koncerti në Durrës ka një specifikë të veçantë, pasi ai vlerëson mbi të gjitha shpirtin e bukur artistik të publikut durrsak.

“Para se të vija këtu, një milkja ime durrsake më tha do të shkosh të bësh koncert në amfiteatrin më të bukur të botës. Është një kënaqësi shumë e madhe sepse Durrësi ka qenë gjithnjë nga pikpamja artistike djepi i muzikantëve shumë të mëdhenj.”

Mbrëmjen e sotme në orën 20.30, në amfiteatër ju pret një natë magjike prandaj nxitoni të mos e humbisni, sepse hyrja është e lirë.

M.B.