Nga Dr. Bledar Kurti

Në atë verë postkomuniste të vitit 1991, liria erdhi si një tundim i ëmbël dhe joshës, por shumë shpejt u kuptua që pa katarsis çlirimi nga një regjim, sado i egër e mizor të kish qenë, nuk garantonte liri. Me sa duket, ferri nuk kishte qenë i mbushur vetëm me demonët që kishim lënë pas. Ferri ishin edhe njerëzit e tjerë.

Te vepra Huis Clos (Me dyer të mbyllura) Jean Paul Sartre shkruan: Ferri janë të tjerët!
Në këtë vepër, tre shpirtra të mallkuar, Garseni, Inesi dhe Estela, përfundojnë në një dhomë në ferr. Në vend të torturave të tmerrshme ndëshkuese, gjejnë një dhomë të modeluar në stilin perandorak francez. Ata kuptojnë se nuk kanë përfunduar në atë dhomë rastësisht dhe janë aty pikërisht për ta bërë njëri-tjetrin të mjerë. Për të ofruar ferrin te njëri-tjetri. Ndaj edhe vepra mbyllet me: FERRI JANË TË TJERËT!

Anija Vlora e nisur më 7 gusht 1991 nga Porti i Durrësit, dhe ajo çfarë ndodhi në stadiumin e Barit më 8 gusht, janë ndër ilustrimet më tragjike të ferrit të shkaktuar nga të tjerët, pra nga vetë ne. Elementi më tragjik i atij eksodi ishte ferri që i shkaktuam njëri-tjetrit.

Perdja e hekurt kishte rënë, por ne ende vazhdonim ta bënim njëri-tjetrin të mjerë. Ndoshta pa asnjë arsye. Ndoshta thjesht sepse dinim. Ku ishte vëllazëria e bashkëvuajtësve? Ku ishte solidariteti? Torturuesit nuk ishin më, përse nisëm të torturojmë njëri-tjetrin? A fshihet brenda njeriut dëshira për t’u ushqyer me dhimbjen e vëllait? Përse eksitohet e përndizet viktima kur viktimizon të tjerët? Pra, ferri janë të tjerët.

Disa elementë të atij eksodi janë mbajtur të pathëna si në media ashtu edhe në diskutimet e hapura publike.

Historia nis me atë çfarë ndodhi në bordin e anijes Vlora më datë 7 gusht 1991.

RRËFIM REAL NGA PËRJETIMI I BABAIT TIM A. KURTI:

Të etur e të përvëluar nga dielli, njerëzit u vërsulën në kuzhinën dhe mensën e anijes. Aty kishte punonjës që u jepnin njerëzve vetëm një garuzhde me ujë për person. Pasi uji mbaroi, të tjerët mbetën pa pirë deri të nesërmen kur arritën në Itali.

Nuk e kuptuam se çfarë kishte ndodhur, por në bord të anijes kishte ushtarë të vrarë të cilët ishin të mbuluar me batanije. Poshtë në hambar kishte tonelata me sheqer dhe mbi kapakët që mbulonin hambarin gjendeshin disa ushtarë të vrarë. Ne i dalluam menjëherë që ishin ushtarë nga spaletat dhe qethja e flokëve. Ajo anije po lundronte me njëzet mijë njerëz në kërkim të një jete më të mirë, ndër ta shumë gra shtatzëna dhe fëmijë. Por ai ishte udhëtim makthi. Shumë burra dhe gra u hodhën në det nga njerëz të panjohur. Gjatë natës dëgjonim ulërima dhe shumë banda të armatosura me thika të gjata tmerronin njerëzit. Trauma e eksodistëve dhe smerilimi i lirisë që kishim ëndërruar nisi që në bordin e anijes.

Me të arritur në bregun italian, rojat bregdetare do ta patrullonin rreptësisht anijen Vlora dhe ende pa u ankoruar në kalatën e portit, njerëzit nisën të hidheshin në det për të shuar të nxehtin që u kishte pushtuar trupin. Isha në gjendje të fikëti. Diellin e kisha mbi kokë. Nuk munda të duroj më dhe u hodha nga dymbëdhjetë metra lartësi. Kur preka ujin, forca e hedhjes më çonte thellë e më thellë nën ujë. Luaja këmbë e duar për t’u ngjitur, por vazhdoja të zhytesha. Ngrita kokën lart dhe drita e diellit sa vinte e zvogëlohej, derisa u bë terr. As edhe një rreze drite. Ky ishte fundi, mendova. Kujtova dy djemtë e mi dhe gruan. Nënën time, motrën dhe vëllain. Këmbët dhe duart më ishin mpirë dhe fryma po më mbaronte, megjithatë vendosa të shtyj me çdo muskul të trupit dhe me çdo grimcë të shpirtit të përpiqesha të shpëtoja. Nisa të ngjitem lart. M’u duk një përjetësi. Zot, më trego dritën. Të lutem, më trego dritën. Shtyva dhe u përpëlita derisa pashë një pikë të vogël drite e cila zmadhohej teksa ngjitesha gjithnjë e më shumë. Më në fund, dola në sipërfaqe, si një njeri i ringjallur nga vdekja.

Pas disa orësh na strehuan të gjithëve brenda stadiumit të Barit. Policia italiane e rrethoi stadiumin dhe na hidhte me helikopter ushqime e pije. Ne vërsuleshim si kafshë për të marrë diçka për t?u ushqyer dhe për të shuar etjen. Shpeshherë nuk ia dilnim, pasi kishte disa banda që vrisnin me sëpata e bajoneta këdo që merrte pakot me ushqime. Netët ishin të tmerrshme. Për shkak se ishte muaj i nxehtë, askush nuk e mori me mend që natën do të bënte aq ftohtë dhe ne ishim të veshur me bluza të holla, madje shumë burra ishin gjysmëlakuriq.

Kur erdhi mesnata, bashkë me të ftohtët nisën edhe përdhunimet. Shumë gra dhe vajza u përdhunuan sistematikisht gjatë atyre netëve brenda stadiumit të Barit. Ishte një terror përtej çdo imagjinate. Një dramë e gjallë. Që kur na strehuan brenda në stadium, e gjithë ajo hapësirë kontrollohej nga disa banda shqiptarësh të cilat ishin të armatosura. Madje njëra prej tyre kishte edhe një qen të egër që e mbanin me zinxhir. Si u armatosën, mendova unë. Po këtë qenin e egër ku e gjetën?

Njëra bandë njihej si e Laprakës, të tjerat si të Tiranës. Njëri prej drejtuesve të bandave, të cilat përbëheshin nga shtatë a tetë veta, mbante në kokë një kapelë kaubojsh, ndërkohë që pistoletën e mbante në brez.

Çdo mbrëmje këto banda shkonin nga njëri grup njerëzish tek tjetri, të shpërndarë në shkallët dhe fushën e stadiumit, zgjidhnin gratë dhe vajzat që u pëlqenin dhe i përdhunonin. Në një rast, më thirrën disa të njohur që të shkoja e t’i flisja Kujtimit, i cili punonte në të njëjtën ndërmarrje me mua. E kishin gjetur duke varur veten brenda një magazine nën shkallët e stadiumit. Kur shkova unë, ai ishte me një shkop në dorë me të cilin godiste dyshemenë. Bam, bam, bam dhe vërtitej nëpër dhomë. Bam, bam, bam. Sytë më kapën litarin që ishte ende varur në një tra metalik. E shthura nyjën dhe e mora litarin me vete. I fola, por ai vazhdonte të vërtitej dhe të godiste dyshemenë me shkop. Shoqja e tij me të cilën ishte takuar në anije, ishte përdhunuar një natë më parë. Ndoshta e kishin përdhunuar edhe vetë atë. Sytë e tij përpiqeshin të më thoshin diçka. Unë arrita të lexoja dhimbjen në ta dhe vuajtjen që kishte në shpirt. Por, ashtu si edhe njëzet mijë të tjerët në atë geto, isha i pafuqishëm.

Natën e dytë, teksa po ngrohesha bashkë me disa të tjerë në një zjarr të vogël me kartonë që kishim ndezur në shkallët e stadiumit, disa metra më poshtë ishin disa emigrantë nga Lushnja. Njëra prej bandave të armatosura, e kryesuar nga një burrë trupmadh i cili kishte vënë parukë të gjatë për t?u maskuar, iu afrua njërit dhe nisi ta godiste me shkop në kokë. Unë dëgjoja një tingull të thatë që jehonte deri te ne dhe mendova se ai po godiste shkallët e stadiumit e jo atë, por ajo zhurmë e thatë ishte koka dhe brinjët e lushnjarit. Aman, mos më vrisni. Jam baba i pesë fëmijëve. Ma kurseni jetën. Aman, mos më vrisni. Aman, kush do të ushqejë fëmijët e mi. Mos më vrisni. Mos më vrisni?. E lanë për të vdekur. Nuk e di nëse vdiq apo jetoi.

Adrenalina bëri të vetën dhe emocionet e tmerrit na pushtuan trupin duke na shndërruar edhe ne në bisha. Kur flinim, mbanin hunj e hekura në dorë në rast se na sulmonin. Nuk ishte më Italia ëndrra jonë e madhe, por mbijetesa.

Për shkak se netët ishin të ftohta, njerëzit nisën të thyenin çdo derë që gjenin në kërkim të një mbulese, rrobe apo çadre me të cilat mund të mbanin veten ngrohtë gjatë natës. Dhe ja u gjet një magazinë me materiale sportive ku siguruam mjete rrethanore për të fjetur ngrohtë gjatë natës. Por në atë magazinë kishte edhe gjyle, shtiza, sëpata dhe mjete të mprehta. Me të rënë në duart e bandave, njerëzit brenda stadiumit u shndërruan në shënjestra për rrokje. Shumë njerëz u vranë me shtiza të cilat ua depërtuan trupin tej e përtej. Disa të tjerë me goditje gjyle e sëpata në kokë. Kush mbante në duar ushqime apo rroba, bandat i bënin pritë dhe e godisnin me shkopinj bejsbolli.
Dy ditët e para u vranë shumë njerëz. Të ulur në shkallët e stadiumit, shikonim të tmerruar se si shumë burra dhe gra goditeshin me shtiza në bark, pas shpine apo me gjyle e shkopinj mbi kokë. Më pas hidheshin në cepat e stadiumit dhe mbuloheshin me plastmasë.

Një mëngjes pamë një ushtar që vraponte nga njëra anë e stadiumit tek tjetra dhe bandat e ndiqnin me shtiza në dorë. Ai u shpëtoi shumë shtizave, por njëra prej tyre e zuri dhe e depërtoi mespërmes. Klithma e tij u dëgjua nga të gjithë ne.

Ferr. Ai eksod ishte ferr. Flakët po i ndiznim vetë për njëri-tjetrin.
Ferri janë të tjerët.
————
Anija Vlora kishte 20,000 mijë shqiptarë në bord kur arriti në Bari, pas refuzimit dhe bllokadës që iu bë për t’u ankoruar në Brindisi. 17, 400 prej tyre u riatdhesuan në Shqipëri ose përmes shpërblimit prej pak liretash ose me detyrim (me qenë, forca policie dhe të trasportuar në Rinas me avionë ushtarakë), ndër ta edhe babai im. Qeverisë shqiptare iu dhanë 90 miliardë lireta për ushqime dhe 60 miliardë lireta për industrinë dhe shkollat. Kjo ndihmë u dha që të mos kishte më eksode të tjera. U mbajtën zyrtarisht vetëm 1,500 shqiptarë, vetëm ata që paraqitën kërkesë për strehim politik. Por, gjatë 30 viteve në vazhdim, azili ekonomik dhe kërkesat e shqiptarëve për strehim politik në vendet perëndimore do rriteshin gjithnjë e më shumë.

U larguan nga një vend i mrekullueshëm dhe i bekuar nga Perëndia por i sterrosur nga njerëzia, nga ajo që Jean Paul Sartre e quajti: FERRI JANË TË TJERËT.