Pushuesit që kanë zgjedhur në këto ditë vere bregdetin e gjiut të Durrësit janë zbavitur në fundjavë me tingujt dhe koreografinë e artistëve nga Durrësi dhe Tirana.
Në sheshin qendror të Golemit shoqata “New Umor Sound” ka organizuar koncertin “E dua këngën time”, i cili tërhoqi mjaft dëgjues të moshave të ndryshme.
Spektakli filloi me valltarët e rinj kavajas të cilët krijuan një atmosferë të ve[antë, me koreografitë e valleve të Shqipërisë së mesme.
Nën drejtimin e regjisorit dhe moderatorit Giuseppe Palumbo më pas u ngjit këngëtarja Luljeta Strefi, e cila e ka filluar rrugën artistike në shkollat e qytezës së Golemit.
Strefi solli dy grupe me këngë, të cilat u pritën mjaft mirë nga publiku vendas dhe i huaj që po kalojnë pushimet në bregdetin e Kavajës.
Orkestrina e instrumentistëve të familjes Qerimaj nga kryeqyteti fitoi admirimin e spektatorëve, gjithnjë e më të shumtë në numër.
Vallet kaba të klarinetistit Fatos Qerimaj, që u shoqërua nga anëtarë të tjerë të familjes së artistëve ia lanë vendin violinistes këngëtare Klodi Qerimaj.
Për afro 90 minuta të programit në vazhdim artistët dëshmuan për shikuesit vlerat tradicionale të muzikës popullore dhe të lehtë shqiptare.
Gjiri detar i Durrësit ka një gjatësi prej 18 km. Në përroin e Agait ai ndahet administrativisht për rrethet e Durrësit dhe Kavajës, të cilët mjaft veprimtari vazhdojnë ti kryejnë së bashku.








