Me ekspozitën e 12-të personale të saj, të titulluar “Verë”, piktorja Shpresa Milaqi Bajko solli për artdashësit durrsak plot 99 tablo plot ngjyra dhe jetë, të realizuara kryesisht gjatë këtij viti.
Ekspozita u hap pasditen e së mërkurës në Galerinë e Artit Pamor “Nikolet Vasia” në Durrës dhe tërhoqi vëmendjen e njerëzve të artit dhe kulturës.


Në 68 punimet në vaj dhe 30 punimet në grafikë dhe akuarel, piktorja e njohur ka sjellë në telajo Durrësin, rrugicat e tij të vjetra, peisazhet piktoreske nga bregdeti etj.
Ashtu siç edhe ekspozita mban emrin “Verë”, ashtu edhe tablotë e Shpresës karakterizohen nga ngjyrat e ngrohta dhe përcjellin energjinë pozitive që vetëm stina e nxehtë di t’ia dhurojë njerëzve.

Tablotë janë në gjininë e peisazhit, natyrës së qetë, kompozimit etj.
Në një intervistë për “DurrësLajm” piktorja durrsake rrëfen se nga e merr frymëzimin për t’u ulur para telajos, sapo i krijohet një minutë kohë e lirë.
Njëkohësisht ajo zbulon se pse pas kaq shumë pikturash të realizuara gjatë viteve të tëra pune, Durrësi vijon të mbetet epiqendra e shumicës së tablove të saj.
M.B.





