Gianni Morandi viziton Durrësin. Këngëtari i famshëm italian i viteve ’60 -’90, ndodhet prej dy ditësh në qytetin bregdetar.

Pas pushimeve në jug të vendit, ndalesa e radhës e një prej ikonave të muzikës italiane është qyteti 3000-vjeçar.

Gazetari Gëzim Kabashi, së bashku me regjisorin Haxhi Rama janë ndeshur sot krejt rastësisht me të në një nga rrugicat e Durrësit, pranë amfiteatrit antik.

Kabashi rrëfen se fillimisht ka mbetur i surprizuar dhe nuk po i besonte syve se përpara kishte një nga idhujt e dikurshëm të rinisë shqiptare, që përpara rënies së komunizmit dhe në vitet e para të demokracisë dëgjonte së tepërmi hitet e muzikës italiane të këngëtarëve Adriano Celentano, Toto Cutugno, Gianni Morandi etj.

“E thirra, por nuk e ktheu kokën. Mbase nuk më dëgjoi, mbase donte të vijonte i patrazuar shëtitjen e tij. Shoqërohej nga bashkëshortja dhe disa persona të tjerë. Ecëm pak pas tyre, i arritëm dhe u prezantuam. I kërkova një foto dhe ishte pikërisht bashkëshortja e tij që na i bëri”,- tregon gazetari Kabashi për “DurrësLajm”.

“Po ecte pak pas grupit, si një person që kërkon të shohë me vëmendje këtë qytet të ri që po viziton. Mesa duket po drejtoheshin për të drekuar në një nga restorantet e qytetit”,– vijon më tek Kabashi.

Ndërkohë, të tjerë qytetarë tregojnë se e kanë parë në orët e vona të së dielës, Morandin ndërsa po ecte në këmbë në rrugën “Taulantia”, i shoqëruar nga bashkëshortja dhe një çift tjetër italian.

Këngëtari i njohur e nisi vizitën në vendin tonë nga Tirana, ku qëndroi një ditë dhe më pas, i sugjeruar edhe nga miqtë e tij, shkoi në Palasë ku kaloi dy ditë. Më tej ai udhëtoi drejt Himarës dhe Dhërmiut, ku pati edhe një takim me kryetarin e Bashkisë së Himarës, Vangjel Tavo. Ky i fundit shprehu kënaqësinë për takimin me artistin e njohur italian.

Vetë Gianni Morandi ka treguar se vizita e tij në Shqipëri erdhi pas sugjerimeve të miqve, të cilët i kishin folur për bukuritë e jugut të vendit.

Por duket se ndalesa në jug të vendit nuk ishte e fundit për të, pasi mesa duket, Morandi nuk la pa vizituar edhe kryeqytetin shqiptar të turizmit, Durrësin.

M.B.