Vijon operacioni policor i koduar “Koordinata”, kundër kultivimit të bimëve narkotike.
Si pasojë janë goditur 2 raste të kultivimit të bimëve narkotike, në fshatin Zhej ku janë asgjësuar 221 bimë narkotike.
Blutë kanë sekuestruar 30 fara të kësaj bime.
Më tej kanë përfunduar në pranga edhe 2 shtetas dhe shpallet në kërkim 1 tjetër si autorë të dyshuar të kultivimit të bimëve narkotike.
Njoftim i Policisë:
Gjatë kontrolleve në territor, në vijim të operacionit policor “Koordinata”, me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e rasteve të kultivimit të bimëve narkotike, shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin, goditën 2 raste të kultivimit të bimëve narkotike në fshatin Zhej, njësia administrative Mamurras. Për këto raste:
– u arrestua shtetasi I. S., 45 vjeç, i cili u kap në flagrancë duke u kujdesur për 25 bimë narkotike që kishte kultivuar në oborrin e banesës;
-u shpall në kërkim shtetasi P. P., 64 vjeç dhe u vu në pranga bashkëshortja e tij, shtetasja A. P., 56 vjeçe, pasi dyshohet se kanë kultivuar 196 bimë narkotike në oborrin e banesës së tyre. Gjatë kontrollit në banesën e tyre, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan 108 fara të bimës narkotike Cannabis Sativa.
Operacioni antikanabis i koduar “Koordinata” vijon në të gjithë territorin.





