Është një nga sitet e trashëgimisë kulturore të qytetit 3000-vjeçar dhe nga maja e saj ofron një pamje panoramike 360° gradë të Durrësit.
Po flasim pēr Kullën Anzhuine, apo atë që njihet ndryshe dhe si ballkoni i Durrësit.
Por në një kohë kur Durrësi vizitohet nga qindra apo mijëra turistë të huaj çdo ditë, ky monument mund të vërë në çdo moment në rrezik jetën e vizitorëve.
Kjo për shkak se kangjellat rrethuese të tij janë komplet të shkëputura nga saldimet.
Siç duket edhe nga pamjet filmike që “DurrësLajm” po publikon, kangjellat në të dy anët e shkallës mund të rrezikojnë në çdo moment jetën e vizitorëve.
Për të parandaluar një tragjedi të paralajmëruar, autoritetet duhet të ndërhyjnë urgjentisht për të kryer të gjitha punimet e nevojshme për sistemimin e kangjellave rrethuese.
Çfarë përfaqëson Kulla Anzhuine?
Kulla Anzhuine e Durrësit është një monument historik, që u ndërtua në kohën e sundimit të familjes anzhuine në Shqipëri nga viti 1272 deri në vitin 1368.
Kulla njihet ndryshe edhe si Kulla e Barutit sepse përdorej si depo baruti në periudhën osmane.
Kulla ndodhet në Kodër Vilë, poshtë vilës së Mbretit Zog dhe mbi amfiteatër.
Ajo ofron një pamje panoramike të qytetit, detit dhe kodrave që e rrethojnë Durrësin.
Kulla ka formë rrethore dhe është ndërtuar prej guri dhe tullash. Ka një diametër rreth 10 metra dhe një lartësi rreth 8 metra. Kulla ka dy kate, të lidhura me një shkallë spirale.
Kati i parë ka një tavan të harkuar dhe katër dritare, ndërsa kati i dytë ka një kupolë dhe gjashtë dritare.
Kulla është një nga shembujt e paktë të mbijetuar të arkitekturës anzhuine në Shqipëri dhe është një sit i trashëgimisë kulturore.





