Në moshën 94-vjeçare, pas një pune voluminoze 3-4 vite me radhë në biblioteka brenda dhe jashtë vendit, autori Luan Dode sjell për lexuesit librin e tij të tretë, “Partia Komuniste Shqiptare, gjatë Luftës së dytë Botërore”.

Përmes fakteve dhe dokumenteve historike, në faqet e këtij libri autori synon të hedhë dritë në vitet e krijimit dhe funksionimit të Partisë Komuniste, e cila sipas Dodes funksiononte si një degëzim i Partisë Komuniste Jugosllave.

Në promovimin e organizuar nga Shoqata “Durrësi Autokton” mungonte autori i librit, i cili ndodhej në spital për shkak të një viroze. Vajza e tij Elona Dode dhe kreu i shoqatës Abdulla Deliallisi rrëfejnë më shumë për vlerat e tij studimi.

Elona Dode: “Më tepër se kujtime janë fakte të gjetura në libra të ndryshëm të historisë, që babai i ka kërkuar në biblioteka të ndryshme në Bruksel, në Tiranë. Ka punuar mbi 3-4 vite për këtë libër, sepse babai çdo gjë që shkruan do ta shkruajë me fakte”.

Abdulla Deliallisi: “Ky libër tregon të vërtetat historike, të cilat brezat e ardhshëm duhet t’i dinë. Nëse e kemi mësuar historinë mbrapsht, duhet të dimë të vërtetën. Ndërkohë një fakt tjetër me rëndësi është që një 94-vjeçar ulet dhe shkruan. Ky njeri duhet të vlerësohet pikërisht për këtë, që ulet dhe shkruan, gërmon nëpër libra, gërmon nëpër arkiva për të nxjerrë një të vërtetë historike”.  

Ky është libri i tretë që Luan Dode sjell për lexuesin shqiptar dhe pavarësisht moshës së thyer, dëshira për të shkruar dhe hulumtuar në arkiva nuk i mungon.

M.B.