Ambientet e Hamamit mesjetar të Durrësit u kthyen pasditen e së premtes në një hapësirë dedikuar artit.
Ekspozita e fotografit italian Fabricio Loiacono, “Glance off it” (Rrëshqitje) është eventi i parë artistik i këtij lloji që zhvillohet aty.
Me 16 fotografi në art abstrakt, fotografi i njohur italian synon të sjellë para artdashësve dursakë, një këndvështrim ndryshe mbi objekte, që shpesh kalojnë pa u vënë re, por që bukurinë e kanë të fshehur pikërisht në miksimin që veprimtaria njerëzore u bën.
“Kam shkuar në periferinë e Romës, ashtu si edhe në qytete të tjera italiane për të parë nga afër objekte të ngurta. Kam shkuar në fabrika që riciklojnë metalin, duke e shtypur, duke i ndryshuar formë. Ndërthuren ngjyrat, ndërthuren tipet e ndryshme të metaleve dhe pikërisht nga kjo kanë lindur këto punime të miat. Ashtu siç edhe e kam titulluar ekspozitën “Glance off it”, vështrimi im është ndalur mbi këto objekte, që shpesh lihen pas dore nga njerëzit, sepse nuk tërheqin vëmendjen, përveç atyre që tregohen më të vëmendshëm, më të vetëdijshëm për këtë bukuri të fshehur”,- thotë Loiacono.
Interesimi i njerëzve të artit dhe kulturës ishte i madh për ekspozitën e fotografit italian, ndërsa për drejtorin e Qendrës Muzeore Durrës, Alban Ramohitaj, ky event ndërthur më së miri historinë dhe artin kontemporan.
Pas 20 vitesh me shumë ekspozita personale të hapura në Itali dhe jashtë saj, dhe shumë çmimesh të rëndësishme kombëtare dhe ndërkombëtare, Loiacono sjell artin e tij në qytetin bregdetar, pasi siç shprehet dhe vetë gëzon një dashuri të madhe për vendin e shqiponjave. Ekspozita do të qëndrojë e hapur për 1 muaj.
M.B.





