“112 vjet Arsim në Krahinën e Ishmit, 1944-2024”, pjesa II, ishte libri i promovuar pasditen e së premtes në sallën e aktiviteteve të shkollës 9-vjeçare “14 Nëntori”, në Durrës.
Mes faqeve të këtij libri pasqyrohet në mënyrë kronologjike kontributi i mësuesve të kësaj treve, që nga hapja e shkollës së parë shqipe në Ishëm e deri në ditët tona. Pas pjesës së parë, që pasqyronte periudhën kohore 1913 -1944, tashmë në duart e lexuesve vjen libri i dytë që përqendrohet në zhvillimin e arsimit në 8 dekadat e fundit, duke nisur nga viti 1944 deri në 2024-ën.
Nëpërmjet këtij libri studimor, bashkëautorët Agim Lika, Shezahir Kërtusha dhe Laureta Kulla kanë sjellë një pasqyrë të plotë të zhvillimit të arsimit në këtë trevë atdhetare dhe arsimdashëse.
“Libri ka dy risi, e para na jep një ekuacion të plotë të shkollave dhe zhvillimit të arsimit parauniversitar në Ishëm dhe e dyta hedh dritë edhe për disa ish-nxënës si dhe banorë të Ishmit, që sot janë doktorë shkencash, profesorë etj, që shërbejnë edhe në Shqipëri, edhe jashtë Shqipërisë”,– rrëfen autori Agim Lika.
Bashkëautorët kanë sjellë një informacion të detajuar arkivor, për mësuesit vendas, të cilët me vetmohimin dhe sakrificën e bërë, sidomos në ato vite të vështira kur analfabetizmi mbizotëronte dhe infrastruktura rrugore thuajse nuk ekzistonte, ngritën bazat e arsimit në shkollat e kësaj treve.
“Niseshin nga Shetja e largët deri në qendër të Ishmit, pasi kishin punuar deri në orën 13.00 në kooperativë vinin tek shkolla e mesme e Ishmit natën, 3 orë e gjysëm rrugë për të ardhur dhe 3 orë e gjysëm për t’u kthyer. Pra 7 orë rrugë, por ishte dashuria e madhe për të arsimuar një popull, që vuante përgjatë gjithë historisë së vet”,- kujton ish-mësuesi dhe ish-drejtori i shkollës “Rexhep Mezini”, Jusuf Shehu.
Për vlerat e këtij libri që autorët e kanë ndarë në gjashtë kapituj duke përfshirë edhe foto të mësuesve dhe të nxënësve në periudha të ndryshme folën disa nga të pranishmit.
“112 vite arsim në krahinën e Ishmit” është një libër i mbushur me kujtime të gjera dhe të thelluara, shkruar me dashuri dhe pasion nga 3 autorë të kësaj treve, 3 bij arsimdashës si Agim Lika, Shezahir Kërtusha dhe Laureta Kulla, të cilët tentojnë të shkojnë përtej një konstatimi”,- tha poeti dhe shkrimtari Agim Bajrami.
Ndërsa Leandra Kërtusha, vajza e njërit prej biznesmenëve që sponsorizuan botimin e vëllimit të dytë të këtij libri, u shpreh e lumtur që familja e saj ka ndihmuar që këto vlera dhe kontribute të arsimtarëve ishmakë, por edhe personaliteteve të tjera që ka nxjerrë kjo trevë me mjaft tradita të gjejnë tashmë pasqyrim në faqet e një libri, për t’u njohur edhe nga brezat më të rinj.
Të pranishëm në takim ishin përfaqësues nga Shtëpia e Shkrimtarëve dhe Artistëve Durrës, biznesmenë nga Ishmi, drejtorët e shkollave të kësaj Njësie Administrative etj.
M.B.





