I bekuar me klimën mesdhetare, Durrësi është perfekt për pushime edhe në shtator.
Megjithëse kemi hyrë në dhjetëditëshin e fundit të muajit të parë të vjeshtës, vija bregdetare e Adriatikut vijon të frekuentohet nga plazhistët.
Në zonën e Currilave, por edhe në plazhin e madh kjo e dielë i gjeti shumë vendas, por edhe pushues duke bërë banjo dielli, apo duke u larë në det. Shumë prej tyre shfrytëzojnë hapësirat publike në plazhe për të kaluar disa orë të ditës duke bërë banjo dielli.
Qetësia që ofron në këtë periudhë vija bregdetare, pastërtia e sipërfaqes së rërës dhe detit, por edhe numri më i pakët i pushuesve i kthen këto orë të kaluara buzë detit në relaks të vërtetë, larg zhurmës dhe vrullit të jetës së përditshme.
Temperaturat mjaft të ngrohta dhe deti “vaj”, siç e quajnë në Durrës, u jep mundësi pushuesve edhe të lahen në det.
Plazheve u mungon gjallëria e ditëve të fluksit të sezonit veror, por për ata që kërkojnë një shkëputje të vërtetë për të pushuar të qetë, kjo periudhë është idealja për t’u relaksuar dhe rinisur punën me energji të reja.
M.B.





