Bianca Dervishi është një nga shqiptaret më të veçanta në Itali, e njohur si kamionistja e parë që fitoi famë në rrjetet sociale dhe media. Me origjinë nga Durrësi ajo e nisi karrierën si parukiere,por pasioni e çoi drejt një profesioni të pazakontë për gratë.
Në moshën 19-vjeçare mori patentën për kamion dhe nisi punë në transport, duke u përballur kështu me paragjykime, por edhe duke fituar respekt.
Sot ajo zotëron kamionët e saj, udhëton në të gjithë Europën dhe falë videove në TikTok është kthyer në një figurë të dashur për publikun. E ftuar në emisionin “Rudina” në Tv Klan ajo tregon më shumë rreth pasionit të saj.
Bianca Dervishi: Kam mbi 20 vite që jetoj në Itali dhe që fëmijë kam pasur pasion mjetet. Shkoja shpesh me familjarin tim dhe një ditë e mora vetë kamionin pa patentë fare. Isha 19-vjeçe kisha patentë makine,por nuk lejohej, gjithsesi e mora dhe nga aty u dashurova. Panorama që ti shikon me kamion me makinë nuk e shikon dot asnjëherë, për më tepër që t’i udhëton dhe paguhesh në të njëjtën kohë. Normalisht që është edhe punë e vështirë sepse çdo punë ka streset e veta, sepse je gjithë ditën rrugë edhe çdo ditë ndodh aksident. Unë jam në Shqipëri dhe për një muaj ka dëgjuar gjithë ato vdekje nga aksidentet.
Rudina Magjistari: Më trego pak momentin kur ti vendose që të bëheshe kamioniste, si ua the atyre të shtëpisë, e mban mend bisedën?
Bianca Dervishi: Po i mbaj mend të gjitha. Fillimisht isha parukiere shkoja çdo ditë në punë dhe kur zgjodha kamionin, u thashë mamit dhe babit që do të ndryshoj punën, në fillim më thanë jo, por me babin bëra një bast dhe më tha ‘nëse ti merr patentën për kamion dhe bëhesh kamioniste, unë do të të dhuroj lokalin’, megjithëse ai akoma nuk ma ka dhuruar, se nuk e ka pritur akoma./tvklan.al





