Pas 3 javësh të ekspozuara në Hamamin mesjetar, fotografitë abstrakte të artistit italian Fabricio Loiacono zbritën në arenën e amfiteatrit antik të Durrësit.
Antikiteti dhe arti modern u bënë bashkë, ndërsa për ta bërë atmosferën edhe më mistike kontribuan tingujt e violinës së artistit të famshëm Olen Çezari.

16 fotografitë e artit abstrakt të Loiacono-s në ekspozitën “Glance off it” (Rrëshqitje) kanë tërhequr jo pak vëmendjen e artdashësve, turistëve të huaj, por edhe nxënësve të shkollave gjatë këtyre javëve.
“Kanë ardhur shumë studentë dhe nxënës të shihnin ekspozitën. Kanë qenë dhe shumë turistë, por edhe qytetarë durrsakë. Kjo gjë më ka dhënë më forcë për të ekspozitat e ardhshme”,– thotë artisti italian.
Me një karrierë të gjatë ndërkombëtare, për violinistin Olen Çezari prania e tij si i ftuar special në këtë natë përmbyllëse të ekspozitës së një artisti italian në qytetin e tij të lindjes nuk është diçka e pazakontë.
Në këto kohë kur teknologjia na mundëson që secili prej nesh të jetë fotograf, dora e profesionistit është ajo që bën diferencën.
“Fotografia është në duart e secilit nga ne, sidomos që kur kanë dalë smartphone, pasi secili nga ne është një fotograf. Por në të njëjtën kohë ka njerëz që e kanë për zanat dhe jo vetëm për pasion. Dhe ata kanë një sy ndryshe nga ne, shkojnë dhe shikojnë një gjë që ne nuk arrijmë ta dallojmë e shikojmë”,- deklaroi violinisti Çezari.
Të pranishmit në amfiteatër mbrëmjen e së premtes patën mundësi të njiheshin më në detaje me artin e fotografit Loiacono përmes rrëfimit të tij në skenë dhe njëkohësisht të përjetonin emocionet që muzika krijon kur ajo buron nga loja e shkathët e gishtërinjve të virtuozit Çezari.
Gjithsesi kjo nuk është hera e fundit që dy artistët do të jenë në Durrës, sepse projekte të reja po vijnë.
Loiacono: Natyrisht kjo është përmbyllja e kësaj ekspozite, por do të pasohet nga një tjetër, po në Durrës. Por nuk mund të them më shumë.
Çezari: Akoma jemi në pritje të koncertit të radhës në Durrës. koncerti besoj do të vijë verën që vjen. Jemi në bisedime me bashkinë.
Pas 20 vitesh me shumë ekspozita personale të hapura në Itali dhe jashtë saj, dhe shumë çmimesh të rëndësishme kombëtare dhe ndërkombëtare, Loiacono solli artin e tij në qytetin bregdetar, pasi ka një dashuri të madhe për vendin e shqiponjave.
M.B.





