Dita kombëtare e Trashëgimisë erdhi në një formë të veçantë në Durrës.

Në ambientet e Kullës Veneciane, Qendra Muzeore Durrës, në bashkëpunim me Postën Shqiptare, organizoi një ekspozitë të veçantë, që në qendër kishte kartolinat dhe pullat postare, që i dedikohen pikërisht monumenteve dhe figurave më të njohura historike e artistike, që ka nxjerrë qyteti bregdetar.

“Është një punë interdisiplinare, është një punë kërkimore, e cila synonte që të evidentonte ato elemente të kulturës dhe trashëgimisë, por edhe personazhet e rëndësishme të qytetit të Durrësit, të cilët ishin promovuar përmes pullave. Dijet që pullat janë ambasadorët e shpirtit të kombit”,- tha Antigoni Gjergji, kuratore e ekspozitës

Pjesëmarrës ishin edhe koleksionistë të apasionuar pas filaterisë, të cilët prezantuan pulla dhe kartolina të rralla të shumë dekadave më parë, për t’i dhënë mundësi edhe brezit të ri të njihet me to.

“Ne në koleksionet tona kemi aq sa nuk i numëron dot, por meqë ishte një ekspozitë për muzeumet ne u prezantuam këtu me disa kartolina të vjetra të qytetit të Durrësit. Janë kartolina unike, nuk i gjen dot kollaj dhe me disa pulla postare”,– deklaroi koleksionisti Muharrem Gimjani.

Nxënësit e shkollave, por edhe turistë të shumtë patën mundësinë të shihnin nga afër pullat postare që i janë dedikuar qytetit të tyre, por edhe të mësonin procesin e krijimit dhe historikut të tyre.

Mes figurave si Jan Kukuzeli apo Mirush Kabashi, mozaikut të Bukuroshes së Durrësit, skulpturës së perëndeshës Gea por edhe shumë të tjera, zbulohet në pullat postare e kartolina një pjesë mjaft e rëndësishme e historisë së qytetit antik e modern.

M.B.