Artisti Oltsen Gripshi ka hapur në ditët e fundit të muajit shtator (datat 22-28) ekspozitën personale “Kujtesa e Lëkurës”, në Muzeun Kombëtar Sanno, në Benevento, Itali.

Veprat e pa ekspozzuara më parë janë instalacione, video-art, pikturë në kanavacë/letër dhe fotografi artistike.

Ndryshe nga muaj më parë, kur Gripshi mblidhte në Durrës dhjetëra artistë nga vende të ndryshme të botës në Bienalen e Artit Kontemporan këtë herë artisti ka sjellë për publikun italian veprat e tij të artit kontemporan.

Ekspozita vetjake “Kujtesa e Lëkurës” vjen në vazhdën e vlerësimit të artistit Gripshi me çmimin e parë të madh të edicionit të 5-të të Festivalit Ndërkombëtar të Artit Bashkëkohor “StregArti 2024”, Itali.

Në thuajse të gjitha punimet e Gripshit, bie në sy përqendrimi i të gjitha energjive të artistit në zbërthimin e lëkurës në rrafshin filozofik, por edhe në atë shqisor. Pikërisht këtu është përqendruar edhe kuratorja Rosanna de CICCO në zbërthimin e veprave shumëdimensionale të Gripshit.

“Ideja qendrore është se lëkura, si kufi mes vetes dhe botës, nuk është thjesht një mbështjellëse pasive, por një organ që “mendon” dhe “kujton” përmes përvojave shqisore, ndjesive dhe traumave të shtresëzuara në kohë dhe në hapësirë. Për Oltsen Gripshin ai e hulumton lëkurën përmes lentes së fenomenologjisë së artit bashkëkohor, pasi lëkura për të simbolizon kufirin ndërmjet individit dhe botës, duke shërbyer si sipërfaqe ku projektohet identiteti, kujtesa e rrugëtimit jetësor të qenies njerëzore dhe përvoja e mishëruar në vetvete në kujtesë”,– shkruan de Cicco, shkrimin e plotë të të cilës po e publikojmë më poshtë:

KUJTESA E LËKURËS

Kujtesa e lëkurës është një koncept që ndërthur filozofinë, neuroshkencat, psikologjinë dhe letërsinë, që në artin e Oltsen Gripshit paraqitet si një formë e veçantë e depozitimit dhe rikthimit të përvojave të trupit në kohë-hapësirë. Lëkura është organi ynë më i madh dhe si i atillë nuk është vetëm mbrojtëse, por edhe një regjistruese e ndjesive, dhimbjeve dhe prekjeve.

Ekspozita vetjake “Kujtesa e Lëkurës” vjen në vazhdën e vlerësimit të artistit Gripshi me çmimin e parë të madh të edicionit të 5-të të Festivalit Ndërkombëtar të Artit Bashkëkohor “StregArti 2024”, organizuar nga Samnium Proloco Benevento, Ministria e Kulturës së Italisë, Bashkia Benevento, Tv RAI, Provinca Benevento, Krahina Kampanja, Drejtoria Rajonale e Muzeve të Kampanjës, Dhoma e Tregtisë Irpinia Sannio, Universiteti Shtetëror i Sannio të Beneventos dhe UNPLI-Proloco Campania.

Ndaj artisti bashkëkohor shqiptar Gripshi synon nëpërmjet kësaj ekspozite të thellojë konceptin e kujtesës së lëkurës nga perspektiva të ndryshme filozofike dhe shkencore, për të depërtuar kësisoj në kuptimin e artit bashkëkohor.

“Kujtesa e lëkurës” është një titull-nocion që mund të shqyrtohet përmes lenteve të filozofisë së trupit, fenomenologjisë dhe teorive të kujtesës së mishëruar sipas artistit Gripshi. Ideja qendrore është se lëkura, si kufi mes vetes dhe botës, nuk është thjesht një mbështjellëse pasive, por një organ që “mendon” dhe “kujton” përmes përvojave shqisore, ndjesive dhe traumave të shtresëzuara në kohë dhe në hapësirë.

Për Oltsen Gripshin ai e hulumton lëkurën përmes lentes së fenomenologjisë së artit bashkëkohor, pasi lëkura për të simbolizon kufirin ndërmjet individit dhe botës, duke shërbyer si sipërfaqe ku projektohet identiteti, kujtesa e rrugëtimit jetësor të qenies njerëzore dhe përvoja e mishëruar në vetvete në kujtesë. Ajo perceptohet si një hapësirë dinamike dialogu ndërmjet hapësirës së brendshme dhe të jashtme të ekzistencës njerëzore, si një reflektim antropologjik i përbërë nga dy përmasa: ai ontologjik, që synon thellimin e njohjes së qenies si materie, dhe ai sociologjik, ku njeriu shfaqet si pasqyrim dhe si shembull i fenomenologjisë bashkëkohore të perceptimit, përpunimit dhe veprimit si një shumësi e ndërlikuar veprimesh psikomotore.

Lëkura, si vijë ndarëse mes brendësisë së trupit njerëzor dhe hapësirës së jashtme, mes kujtesës dhe ndjeshmërisë, luan një rol thelbësor në mënyrën se si ne e perceptojmë realitetin dhe vetveten. Ndaj artisti post-bashkëkohor shqiptar Oltsen Gripshi thellohet për të parë përtej sipërfaqes së lëkurës, ai depërton në brendësi të saj si një mënyrë për ta njohur qenien njerëzore nën indet qelizore të lëkurës.

Në këtë këndvështrim ai nuk lenë më një anë as interpretimin e lëkurës përmes inteligjencës artificiale, e cila dëshiron të arrijë një formë të vetëdijes së plotë, duke iu nevojitur një lëkurë artificiale që do t’i mundësonte të përjetojë botën përtej të dhënave të ftohta digjitale.

Ndaj artisti Oltsen Gripshi falë ekspozitës “Kujtesa e lëkurës” shtron disa pyetje: A mundet vërtet inteligjenca artificiale të ndiejë prekjen, dhimbjen apo ndjeshmërinë atmosferike në krahasim me trupin njerëzor? Apo do të mbetet gjithmonë një trup pa lëkurë dhe një mendje pa kujtesë fizike? Këto janë pyetje që shkojnë përtej teknologjisë dhe na detyrojnë të rimendojmë vetë natyrën e ndjeshmërisë dhe ndërgjegjes njerëzore, duke e parë atë tashmë në dritën e largpamësisë ontoantropoegocentrike të artistit Oltsen Gripshi dhe të artit të tij të ri post-bashkëkohor.