Problematikat e shëndetit mendor tek adoleshentët janë shtuar vitet e fundit, por ajo që është më shqetësuese është ulja e moshës së të miturve, që paraqiten në urgjencën e spitalit të Durrësit me shqetësime ankthi apo sjellje vetëdëmtuese, të cilat shpesh nuk pranohen nga prindërit.
Në Poliklinikën e Specialiteteve në Durrës iu drejtuam mjekes psikiatre për fëmijët dhe adoleshentët Zvjetllana Skorovoti, e cila thotë për “DurrësLajm” se stigma që shoqëron këtë sëmundje, i bën shpeshherë prindërit të neglizhojnë kurimin e fëmijëve të tyre.
“Nëse dikur vinin mosha 17-18 vjeç me këto probleme, tani në Urgjencë paraqiten mosha shumë më të vogla 8-9 vjeç. Por prindërit nuk i konsiderojnë si probleme të ankthit, të shëndetit mendor. Mendojnë se kanë diçka me zemrën, me mushkërinë… Në momentin që ne i themi se ka diçka që nuk shkon me gjendjen e psikoemocionale të fëmijëve, prindërit e anashkalojnë. Thonë po po, do ta ndjekim dhe nuk vijnë më. Pas disa vitesh këto problematika shumëfishohen në mënyrë të frikshme. Stigmatizimi është ajo që i lë këta prindër të mos vijnë”.
Psikiatrja Skorovoti thekson se kujdes i shtuar duhet të tregohet që në moshën pediatrike.
“Problematikat e shëndetit mendor janë përhapur shumë kohët e fundit. Janë më të dukshme në moshën e adoleshencës, porn ë fakt ato fillojnë që në moshën e fëmijërisë së hershme. Zakonisht çdo problematikë neoruzhvillimi përkthehet në adoleshencë në problematika të tjera, si të ankthit, të përshtatjes, të depresionit etj”.
Fenomeni i bullizmit në institucionet arsimore apo rrjete sociale, abuzimi me substanca narkotike apo me pijet energjike janë të përhapura mes nxënësve të shkollave 9-vjeçare dhe të mesme, por ato u mbivendosen problematikave të shëndetit mendor apo atyre sociale që përjetojnë fëmijët më herët. E për pasojë sjelljet e adoleshentëve mund të arrijnë deri në veprime vetëdëmtuese.
“Është gjithnjë në rritje përdorimi i substancave tek adoleshentët, që në klasat e nënta. Vijnë këtu prindër shumë të shqetësuar pasi fëmijët e tyre kanë konsumuar cigare hashashi. Por jo vetëm hashash, ka pasur adoleshentë që kanë përdorur kokainë, kanë përdorur bimë alucinatore, kanë përdorur shumë pije energjike”.
Për mjekët psikiatër dhe psikologët, ndryshimi i sjelljes tek fëmija duhet të jetë sinjal alarmi për prindin.
“Një faktor shumë i rëndësishëm që prindi duhet të trembet dhe t’i drejtohet një profesionisti është ndryshimi i menjëhershëm i sjelljes, si tërheqja e menjëhershme, ose rastet kur nga një fëmijë i tërhequr kthehet në një fëmijë shumë social.”
Në këto raste, mjekët specialistë rekomandojnë se një nga terapitë më të mira është që fëmija të dëgjohet, t’i lihet mundësia të shprehet e të rrëfehet, e jo vetëm të këshillohet nga një më i rritur.
M.B.





