3 dekada më parë, në vitin 1994, vinte me një mision humanitar për të shoqëruar dy kamionë me ndihma për popullin e varfër shqiptar, që sapo kishte nisur rrugëtimin e tij në epokën e demokracisë.
31 vite më pas vjen sërish në Shqipëri, këtë herë për të hapur ekspozitën e tij fotografike, me 30 imazhe të fiksuara në ato vite të vështira për vendin e shqiponjave.

Fotot janë shkrepur në zonën e thellë të Nënshatit, por edhe në Durrësin bregdetar, ku karrocat qarkullonin në zonën historike të qytetit.
Në memorien e fotografit italian Gianni Bellesia, shqiptarët ishin njerëz që buzëqeshnin dhe shumë mikpritës, por ndërsa shesh realitetin e sotëm ai surprizohet me rilindjen e Shqipërisë
“Ishit një vend që kishit njerëz që buzëqeshnin. Ishte e qartë që kalonit vështirësi, shihet edhe në foto, por kur ne mbërrinim ata qeshnin. I parë me sytë e një italiani, mu dukej një popull në evoluim. Të rinjtë kishin dëshirë të vinin në Itali, të hapnin mendjen në një vend evropian, por edhe të moshuarit tuaj ishin të lumtur që të rinjtë të iknin në perëndim, që të sillnin në vendlindje të rejat e shkencës, teknologjinë e kohës. Duke parë sesi ka rilindur vendi juaj mendoj se profecia e të moshuarve tuaj është përmbushur plotësisht. Kjo më kënaq shumë”.
Ekspozita fotografike “Shqipëria 1994, një popull në lëvizje” u hap me ndihmën e Foto Klubit të fotografëve durrsakë, që ka vetëm pak javë që është themeluar. Kryetari i këtij klubi, fotografi i njohur Palush Jorgji thotë se tashmë dhe Shqipëria ka një klub fotografësh, si shumë vende të rajonit të Ballkanit.

Në shenjë nderimi për punën e bërë nga fotografi italian Gianni Bellesia, shoqata “Durrësi Autokton” i akordoi atij titullin “Mirënjohja e qytetit”. Ekspozita do të jetë e hapur përgjatë fundjavës.
M.B.





