Forcat RENEA dhe FNSH kanë ndërmarrë masa të veçanta në Sarandë pas vrasjes së Isuf Jaçajt, 58 vjeç, mbrëmjen e kaluar me tritol. Ekipet policore kanë ngritur pika kontrolli në disa zona të qytetit, ndërsa hetimet për identifikimin e autorëve janë në vazhdim.
Isuf Jaçaj, i njohur ndryshe si “Bushi”, kishte një të kaluar të ngarkuar penale dhe ishte një figurë e njohur për autoritetet që para viteve 2000. Ai kishte shpëtuar më parë nga konflikte dhe atentate të tjera, përfshirë një sulm me armë zjarri në 2011 dhe një përplasje të dhunshme në 2010. Në vitet e fundit merrej me turizmin, duke transportuar turistë me skafin e tij në zonat bregdetare të Sarandës.
Pista kryesore e hetimeve aktualisht mbetet hakmarrja, lidhur edhe me aktivitetet kriminale të djalit të tij, Klaus Jaçajt, 31 vjeç, i arrestuar për “përkrahje të autorit të krimit”.





