Mijëra luftëtarë kubanë janë angazhuar aktivisht në radhët e forcave ruse që luftojnë në Ukrainë, sipas një raporti të brendshëm të Departamentit Amerikan të Shtetit, të cilit i referohet agjencia Reuters.

“Pas Koresë së Veriut, Kuba është vendi që kontribuon me numrin më të madh të trupave të huaja në ofensivën ushtarake të Rusisë në Ukrainë, me një vlerësim prej 1.000 deri në 5.000 luftëtarë kubanë aktivë në front,” – thuhet në dokumentin e përmendur.

Sipas raportit, SHBA e ka informuar Ukrainën për këtë zhvillim, në kuadër të përpjekjeve për të kundërshtuar një rezolutë të Kombeve të Bashkuara që i bën thirrje Uashingtonit të heqë embargon ekonomike ndaj Kubës, e cila është në fuqi që nga viti 1960.

Megjithatë, rezoluta e OKB-së është vetëm simbolike, pasi vetëm Kongresi amerikan ka kompetencën ligjore për të hequr embargon shumëvjeçare ndaj Kubës.

Rusët premtojnë para dhe shtetësi për rekrutët kubanë

Që prej fillimit të luftës në vitin 2022, Moska ka rekrutuar luftëtarë të huaj nga vende si Nepali, Somalia, India dhe Kuba.
Sipas një raporti të publikuar më herët nga Bloomberg, Rusia ka ofruar pagesa të majme dhe shtetësi për luftëtarët kubanë, pavarësisht përpjekjeve të qeverisë së Havanës për të ndaluar rekrutimin.

Fillimisht, numri i të rekrutuarve kubanë përllogaritej në disa qindra, por sipas autoriteteve ukrainase, ky numër është rritur ndjeshëm gjatë vitit të fundit, duke shkuar në mijëra, gjë që ka alarmuar zyrtarët amerikanë.

Kuba forcon aleancën me Rusinë, bashkohet me BRICS si partner

Marrëdhëniet mes Kubës dhe Rusisë janë historikisht të ngushta, që prej epokës së Luftës së Ftohtë. Së fundmi, në tetor 2024, Kuba ka zyrtarizuar bashkimin me grupin BRICS, një aleancë ekonomike e udhëhequr nga Rusia, Kina, India, Brazili dhe Afrika e Jugut, si vend partner.