Shtegu kulturor i 12 dyerve të vjetra të qytetit të Durrësit është pasuruar me elementë të rinj. Qëllimi është që t’u mundësojë turistëve të huaj më shumë informacion mbi trashëgiminë kulturore të qytetit dhe historinë e disa prej familjeve më të njohura të tij në shekullin e kaluar.
Dorina Xheraj, përfaqësuese e MuzehLab, thotë se shtimi i dy elementëve të rinj i bën turistët ta ndjekin këtë shteg në formën e një loje. sinrkon
“Ne i kemi shtuar shtegut të dyerve elementë të tjerë, që janë dy tabela interpretative, informuese për turistët dhe komunitetin. Njëra është në fillim të hyrjes së shtegut dhe tjera qëndron në pjesën e mesme të rrugëtimit. Njëkohësisht kemi sjellë si element inovacioni për përdoruesit, guidat, profesionistët e kulturës apo këdo që do ta eksplorojë vetë këtë shteg lojën “Zbulo Durrësin”, me karaktere që bazohen dhe sjellin eleentë tradicionalë të kulturës, arkeologjisë të qytetit”.
Qëllimi i këtij projekti është të nxjerrin nga harresa atë pjesë të trashëgimisë kulturore që ka mbetur në hije dhe për ta bërë qytetin sa më tërheqës në sytë e të huajve.
“Që prej fillimit të lancimit të këtij projekti dhe shtegut të dyerve të vjetra interesi i turistëve është në rritje. Kjo shihet edhe nga metrikat nëpërmjet website-t dhe aplikacionit, ku ka pasur goxha review pozitive dhe është pritur shumë mirë jo vetëm nga të huajt, por edhe komuniteti vendas”.– deklaroi Inesa Sulaj bashkëthemeluese e MuzehLab.
Ecja tematike përgjatë shtegut të 12 dyerve ngjalli mjaft kureshtje tek turistët e huaj.
“Po shohim këtë shteg dhe kjo është dera e dytë që kemi ndaluar ta vëzhgojmë. Jemi informuar për familjet e rëndësishme të Durrësit dhe arkitekturën e dyerve të këtyre familjeve me emër. Duke ndjekur këtë tur mendoj se do ta kuptojmë më mirë historinë e Durrësit”.
“Po shohim shtigjet e familjeve të vjetra të Durrësit, pamë kishën katolike Shën Lucia dhe tashmë jemi te kjo familje. I gjithë qyteti në fakt është shumë i bukur”.
Shtegu kulturor i 12 dyerve të vjetra të Durrësit është një përpjekje e suksesshme për të ruajtur dhe përcjellë tek të huajt, por edhe tek vendasit, atë pjesë të trashëgimisë kulturore, të cilën e kemi çdo ditë para syve, por pak ia dimë historinë.
M.B.





