E hapur më shumë se një vit më parë, ekspozita muze “Turistë të përgjuar” është kthyer në një nga sitet e trashëgimisë kulturore më interesante të Durrësit.

E pasuruar me shumë më tepër elementë nga vitet, kur Sigurimi i Shtetit përgjonte turistët, që vizitonin Shqipërinë komuniste, ekspozita e pozicionuar në qendër të qytetit vizitohet çdo ditë nga të huajt.

Të lirë të vizitojnë vendin e shqiponjave në çdo cep të tij, për të huajt është paksa e paimagjinueshme, që dekada më parë ata që vinin si turistë përgjoheshin në çdo etapë të udhëtimit të tyre.

Ekspozita muze ngjall interesin e të gjithë turistëve, pavarësisht moshës apo kombësisë.

“Shumë suedezë janë të interesuar të shohin Shqipërinë. Kur vijnë këtu ata kuptojnë se është një destinacion jo vetëm për pushime, por mund të zbulosh shumë më shumë për historinë, trashëgiminë kulturore, traditat etj”.

“Jam shumë e interesuar për historinë dhe dua të mësoj për historinë e Shqipërisë. Prandaj jam këtu sot, në këtë vend.”

“Është surprizuese të mësosh se çfarë u ndodhte dikur turistëve kur vinin të vizitonin Shqipërinë”.

“Jam prekur kur kuptova sesa të izoluar ishin njerëzit këtu për shumë e shumë vite. Jam e lumtur sesi ju po zhvilloni tani këtë vend të bukur.”

“Jemi këtu pasi më parë kemi parë kalanë e Gjirokastrës, Beratit, ishim edhe në Butrit. Na pëlqen shumë historia.”

Kur futesh në këtë shtëpi njëkatëshe në lagjen nr.11, çdokush bën një udhëtim pas në kohë, në vitet e diktaturës komuniste. Mbyllja dhe izolimi thuajse total i Shqipërisë nga regjimi i kohës nuk zbehte kureshtjen e të huajve për të parë nga afër vendin e vogël ballkanik.

Për njërën nga ideueset e kësaj ekspozite, Arjana Isakun ekspozita ka nevojë për mbështjeje, pasi i përngjet një fëmije të mitur, që duhet të rritet.

Ky është një investim krejt modest i bërë nga Brunilda dhe unë. Nuk patëm asjë lloj ndihme tjetër, pavarësisht se e shprehëm dhe thamë: Kemi nevojë! Këtë ekspozitë do t’ia lëmë trashëgim qytetit të Durrësit, nuk do ta marrim me vete. Duam që përmes kësaj ekspozite turistët të kuptojnë atë pjesë të historisë, e cila ka mbetur e patreguar. Kjo është pjesë e një pazëlli që historisë i mungon. Duam të tregojmë Shqipërinë e izoluar gati si Korea e veriut e Evropës”.

Jo vetëm të huajt e kanë vizituar ekspozitën muze, por edhe brezi i ri dhe emigrantët shqiptarë.

“Ajo që vëmë re është një kërkesë e shtuar edhe nga shkollat verore. Të rinjtë kanë shfaqur interes, sidomos ata që janë të lidhur me historrinë. Kanë ardhur shumë emigrantë që kthehen në Shqipëri. Ata kanë shfaqur kuriozitet, madje kanë sjellë edhe dhurata, duke e shtuar gamën e elementëve, por edhe dokumenteve apo materialeve që kemi në ekspozitë”,– thotë për “DurrësLajm”, Brunilda Liçaj, bashkëthemeluese e ekspozitës.

Megjithëse është një ekspozitë muze, mikpritja shqiptare dëshmohet edhe këtu. Krahas eksplorimit të orendive dhe dokumenteve të atyre viteve, apo vendstrehimit të nëndheshëm, vizitorët mund të shijojnë edhe konjakun shqiptar, apo glikotë dhe reçelrat duke marrë nga ky vend një copëz Shqipërie.

Nga rreth 280 turistë në një vit që vizitonin Shqipërinë komuniste, tashmë shifrat kanë “fluturuar” në miliona.

M.B.