Me 71 punime të realizuara përgjatë viteve të fundit, piktorja Emjona Stasi hapi mbrëmjen e së mërkurës në galerinë e artit pamor “Nikolet Vasia” në Durrës ekspozitën e saj të shtatë.

Në ndryshim, nga punimet e mëparshme, artistja Stasi vjen me një veçori krejt ndryshe, me tablo të punuara me guralecë deti.

Dashurinë e saj për detin Adriatik, ajo e ka sjellë në kanavacë, duke përdorur guralecët e mbledhur gjatë shëtitjeve mëngjesore për të krijuar art, siç rrëfen për “DurrësLajm”.

Qyteti i saj, Durrësi është burimi kryesor i frymëzimit dhe kjo duket qartë në të gjitha tablotë e saj të punuara në teknikën e vajit, ashtu edhe ato me guralecë e terrakotë.

Për kuratoren e ekspozitës, Suzana Varvarica Kuka, të dy mediumet që ka përdorur Stasi në tablotë e saj bashkëveprojnë shumë mirë me njëra – tjetrën.

Ekspozita “Ndjesi” do të qëndrojë e hapur deri më 26 tetor.

M.B.