Në ditën ndërkombëtare të shkopit të bardhë, anëtarët e shoqatës “Shpresë për të verbërit” në Durrës zhvilluan një protestë paqësore përpara bashkisë.

Presidenti i shoqatës Saimir Farrici dhe kreu i shoqatës për Durrësin Jonuz Meta evidentuan problematikat me të cilat përballen çdo ditë gjatë lëvizhmërisë së tyre në qytet dhe mungesën e vëmendjes shtetërore në nivel qendror dhe lokal kundrejt të verbërve.

Në mbështetje të shoqatës “Shpresë për të verbërit”, sot në protestën para bashkisë ishte edhe kryetarja e shoqatës së para dhe tetraplegjikëve të Durrësit, Adivije Hoxha, e cila e vuri theksin në diskriminimin me të cilin përballen çdo ditë personat më aftësi të kufizuara dhe infrastrukturën e munguar që do t’u lehtësonte këtyre kategorive aksesueshmërinë në institucione apo lëvizjen në qytet.

Në Durrës, shoqata “Shpresë për të verbërit” numëron 305 anëtarë. Protesta u zhvillua në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Shkopit të Bardhë, që simbolizon pavarësinë dhe dinjitetin e personave të verbër në mbarë botën.

M.B.