Një mbrëmje letraro-muzikore në kujtim të 125-vjetorit të ndarjes nga jeta të rilindasit Naim Frashëri u mbajt mbrëmjen e së hënës në Kullën Veneciane të Durrësit.

Trupa e aktorëve të teatrit “Aleksandër Moisiu”, por edhe dy emrat e mirënjohur të skenës shqiptare Yllka Mujo & Ndriçim Xhepa interpretuan para publikut të pranishëm disa nga poezitë më të njohura të Frashërit, të cilat janë pjesë e fondit të artë të letërsisë kombëtare shqiptare.

Për Prof. Asoc. Dr Rovena Vata Mikeli, Naim Frashëri është një nga figurat qëndrore të Rilindjes sonë kombëtare dhe përkujtimi i përvjetorit të ndarjes së tij nga jeta është një homazh që i bëhet këtij patrioti dhe autori shqiptar.

Në mbrëmjen letraro-muzikore u ekspozua edhe skica e rilindasit të madh, e realizuar nga drejtoresha e Qendrës Kulturore Durrës, Alketa Tragaj.

Naim Frashëri lindi në vitin 1846 në Frashër të Përmetit dhe u nda nga jeta më 20 tetor 1900. Veprat e tij “Bagëti e bujqësi”, “Historia e Skënderbeut” etj janë testamenti që Naim Frashëri i la vendit të tij, Shqipërisë dhe përmes tyre ai identifikohet si poeti ynë kombëtar.

M.B.