Nga Luan HOTI

Të nderuar demokratë,

Zgjedhjet parlamentare të vitit 2025 ishin ndër zgjedhjet më të dobëta të organizuara ndonjëherë në Shqipëri. Makineria shtetërore, patronazhistët dhe blerja e votës funksionuan në mënyrë perfekte. Kush ka menduar se kjo gjë nuk do të ndodhte, ose nuk kupton nga politika, ose është dashakeq ndaj Partisë Demokratike.

Megjithatë, unë mendoj se shkaqet e kësaj humbjeje nuk lidhen vetëm me metodat e përdorura nga kundërshtari, por edhe me tonat. Këtë e dimë dhe e kemi vuajtur në kurriz që prej zgjedhjeve të viteve 2015, 2017, 2019 dhe 2021, por kurrë si në këto zgjedhje nuk kemi humbur. Diferenca prej 21 mijë votash duhet të na alarmojë, duke na shtyrë të fillojmë një analizë të thellë, me mendje të ftohtë dhe me dashamirësi, për ringritjen dhe riorganizimin e çdo qelize të partisë, nga baza deri në nivelet më të larta.Duke pranuar e analizuar gabimet tona, ju garantoj se do të ringrihemi shumë më shpejt sesa duke i fshehur, ashtu siç kemi bërë për vite me radhë.

Si mund t’i fitonim zgjedhjet me kryetarë degësh të komanduar, kur kryetarët e zgjedhur me votë anëtarësie, sipas parimit “një anëtar, një votë”, duhej të jepnin dorëheqje për të marrë pjesë në palo-primare?

Si mund t’i fitonim zgjedhjet kur këto “palo-primare” organizohen dy ditë para se lista të dorëzohen në KQZ? Si mund t’i fitonim zgjedhjet kur, në kulmin e punës për regjistrimin e emigrantëve, ne organizojmë primare?

Si mund t’i fitonim zgjedhjet kur një degë ndahet dhe askush në degë nuk e di, por vendimi merret me urdhër nga lart? Si mund t’i fitonim zgjedhjet kur lista hartohet në fshehtësi të plotë dhe askush në bazë nuk pyetet?

Si mund t’i fitonim zgjedhjet kur gjatë fushatës asnjë nga deputetët e listës së mbyllur apo “besnikët” e partisë nuk përballen e nuk denoncojnë bandat kriminale, patronazhistët dhe hajdutët e administratës?
Si mund t’i fitonim zgjedhjet kur besnikët e partisë ishin komandantë fushate, por askush nuk ishte realisht në terren?

Zgjedhjet e vitit 2025 u humbën edhe për shkak të gabimeve tona. Më e keqja është se nuk po shohim ende dritë në fund të tunelit, pasi jo vetëm që askush nuk mban përgjegjësi, por as nuk po merren masa konkrete për ringritjen e Partisë Demokratike.

Statuti i partisë, që na u trumpetua gjatë përpilimit të listës së kandidatëve për deputetë, sot shkelet hapur nga vetë drejtuesit kryesorë. Kandidatët që u votuan më shumë nga anëtarët e partisë në zgjedhjet e fundit duhet të ngrejnë zërin për ndryshime radikale në organizimin e partisë dhe hapjen e saj me figura të reja, pasi votat që morën treguan qartë se çfarë kërkon baza.

Zgjedhjet për Kryetarin e Bashkisë së Tiranës na treguan qartë se çfarë kërkohet nga PD-ja. Shumë figura të mira u ofruan për të dhënë kontributin e tyre në rikthimin e partisë në pushtet, por pa siglën e PD-së.

Kjo tregon se, PËR TË ARDHUR NË PUSHTET, NA DUHET MË PARË TË RREGULLOJMË VETEN.

Duhet të nisë urgjentisht një analizë e plotë e zgjedhjeve, humbësit duhet të mbajnë përgjegjësi dhe të japin dorëheqje në bazë të statutit, duke filluar nga Kryetari, z. Sali Berisha, e deri te të gjithë drejtuesit që menaxhuan fushatat nëpër qarqe.

Partia Demokratike ka mjaft figura të reja dhe të afta, të cilat mund të sjellin demokratët në pushtet. Këta individë e kanë dëshmuar veten në çdo palë zgjedhje ku kanë marrë pjesë, duke treguar përkushtim, integritet dhe aftësi përfaqësuese.

VETËM PËRMES TRANSPARENCËS, REFLEKTIMIT DHE PËRGJEGJSHMËRISË MUND TË FILLONË RINGRITJA E VËRTETË E PARTISË DEMOKRATIKE DHE RIKTHIMI I BESIMIT TË QYTETARËVE TE NE.