Një situatë e pazakontë ka ngjallur reagime në Francë, pasi bashkëshortja e presidentit Emmanuel Macron, Brigitte Macron, është regjistruar me emër mashkullor në sistemin zyrtar të taksave. Ngjarja u zbulua përmes një dokumentari të transmetuar nga BFMTV, ku u tha se gjatë një kontrolli rutinë në shtator të vitit të kaluar, në vend të emrit të saj të saktë, në sistem ishte shfaqur “Jean-Michel Macron”.

Sipas ekipit administrativ të Zonjës së Parë, kontrolli zbuloi se nuk bëhej fjalë për një gabim teknik, por për një ndërhyrje të qëllimshme në të dhënat elektronike. Çështja u referua menjëherë në Pallatin Élysée, dhe Brigitte Macron paraqiti një kallëzim penal. Hetimet e mëvonshme kanë çuar në identifikimin e dy personave të dyshuar për manipulimin e informacionit.

Ky incident lidhet me një teori konspirative që qarkullon prej vitesh, sipas së cilës Brigitte Macron do të ishte lindur mashkull, pretendim që ajo e ka mohuar publikisht dhe e ka trajtuar ligjërisht si shpifje.

Në shtator të këtij viti, dy persona që kishin përhapur akuzat u dënuan me gjobë prej 13,500 eurosh, ndërsa zonja Macron ka deklaruar se është e gatshme të bëjë edhe një test gjenetik për t’i dhënë fund njëherë e mirë spekulimeve.

Ngjarja ka hapur debat në Francë mbi sigurinë e të dhënave personale dhe mënyrën si teoritë e rreme mund të përhapen edhe në nivelet më të larta të jetës publike.