Më 30 korrik 2020, në Qendrën Kombëtare të Kinematografisë, komisioni i evidentimit të rezultateve të votimit për projektet kinematografike për filma dokumentarë, të paraqitur për konkurrim deri më 5 qershor 2020, bëri të ditur se, një ditë më parë, 29 korrik 2020, anëtarët e këshillit të miratimit të projekteve depozituan votimet elektronike për projektet për filma dokumentarë.
Mes 14 projekteve të paraqitura, kanë fituar të drejtën e financimit nga buxheti i shtetit, pasi ka fituar mbi 360 pikë, është dhe ai i dy kineastëve durrsakë, projekti “Mos më harro”, skenari dhe regjia Ana Shametaj, paraqitur nga shtëpia kinematografike “Albasky Film” shpk, me 376 pikë.
Info.
1. Ana Shametaj ka lindur në Durrës në vitin 1991, familja e saj ndodhet në Trieste, ku jetoi deri në mbarim të shkollës së mesme. Më pas, në moshën 19 vjeç, shkoi në Milano, sepse u zgjodh nga liceu i mirënjohur i Teatrit Paolo Grassi si studente regjie. Prodhoi pjesët të teatrit britanik “Let There Be Love” nga Kwame Kwei Armah (Teatro della Cooperativa në Milano në 2012) dhe “Borderline” nga Hanif Kureishi (Piccolo Teatro në Milano në 2013). Ishte hera e parë që këta autorë u përkthyen në italisht. Në vitin 2012, ajo bashkë-themeloi kolektivin e artistëve “Kokoschka Revival”, dhe vuri në skenë shfaqje të shumta (“Trilogia del Triangolo” në 2014, “Lars” – një portret i Lars Von Trier në 2016; “You Fight!” ne 2019) të shfaqura në disa vende. Në të njëjtën kohë, ajo vazhdon të trajnohet me mjeshtrit e teatrit eksperimental italian dhe të bashkëpunojë me disa kompani teatrore të themeluara prej kohësh si Teatro Valdoca, Socìetas Raffaello Sanzi, Odin Teatret Film dhe Studio Azzurro. Që nga viti 2019 ajo ka qenë zëvendëspresidente e The Azzurra, një OJF në Los Anxhelos që promovon kulturën italiane në Kaliforni.
Filmografia sipas titujve ndërkombëtarë në anglisht: “Apocalypse Wow!” (2018); “Wild Words” (italisht: “Gli Indocili”, fitues i Çmimit të Madh në Asolo Art Film Festival 2019); “Under the God (2019).
2. Paskal Semini (lindur në Durrës më 1961), administrator i vetëm i shtëpisë kinematografike “Albasky Film” shpk, me seli në Tiranë, viti 2015. Semini është prodhues, skenarist, regjisor, aktor [drama dhe filmi “Zani Partizani” (1976),” Plaku dhe hasmi” (1981)]. Ka studiuar në ish-Institutin e Larte të Arteve (sot: Universiteti i Arteve). Ka realizuar disa projekte filmash si regjisor dhe prodhues.
Në vitin 2018, “Testamenti”, skenari Erand Sojli, regjia Paskal Semini/Artur Muharremi, producent shtëpia kinematografike “AlbaSky Film” shpk.
2019, filmi me metrazh të shkurtër “Ëndrra e një të vdekuri” me regji nga Paskal Semini, prodhim i shtëpisë kinematografike “Gentius Film”,
Th.M.