Në “Niko Dovana” vendasit e Teutës përjetuan një dramë të vërtetë duke u përmbysur 2-3 nga Partizani, paçka se “Demat” e mbyllën ndeshjen me një lojtar më pak. Pjesa e parë u mbyll 2-0 për të besuarit e Enkeleid Dobit.

Xhoeli Maçolli në minutën e 32-të dhe Ardit Toli (gol direkt nga këndi) ishin autorët e golave për Teutën. Në fraksionin e dytë Contreras shkurtoi për 2-1 te Partizani, para se Gonzales te Teuta të gabonte penalltinë. Sërish Contreras në minutën e 66-të barazoi rezultatin për 2-2.

Kolumbiani, i cili u fut në fushë në minutën e 53 ishte “engjëll dhe djall” në këtë sfidë, doli me karton të kuq në minutën e 76-të. Partizani nuk u ndal me kaq dhe në minutën e 86-të Toma u tregua i saktë nga 11 metërshi për t’i dhënë tri pikë me shumë vuajtje Partizanit. Pas tre ndeshjeve “Demat” rikthehen te tri pikët dhe ngjiten në kuotën e 12-të të tillave.