“Ndërgjegjja jonë ka nevojë për librat”. Një shprehje e shkrimtarit të madh, Ismail Kadare, do të jetë motoja e ngjarjes më të madhe vjetore që bashkon shkrimtarë, përkthyes e studiues.

Panairi i 28-të i Librit në Tiranë nis të mërkurën në Pallatin e Kongreseve, ndërsa Kreu i shoqatës së botuesve, renditi problemet, duke folur për ulje të numrit të librave të rinj, biblioteka e librari bosh dhe buxhete të papërfillshme.

“Para disa ditësh ne i drejtuam shtëpive botuese një pyetësor ku i pyetëm se sa libra të rinj kanë në panair. Ka shtëpi botuese me asnjë libër të ri, që janë prej vitesh në panair, ka që kanë 1- 2 tituj të rinj, ka me 5-6, ka edhe pak që botojnë 20-30-40 tituj, pra ka rënë numri i botimeve dhe cilësia e botimeve”.

Sipas tij, kjo lidhet shumë me buxhetet e papërfillshme dhe me investimin e shtetit, ndryshe nga Kosova.

“Ka botues të Kosovës që e kanë zgjeruar spektrin e tyre të botimit dhe na konkurrojnë me nivel të mirë. 1.5 milionë euro ose 2 milionë euro që ju jep qeveria në Kosovë, që shkojnë për përkthime, pagesën e të drejtave të autorit, bibliotekat shkollore dhe ato komunale”.

Përkundër kësaj, në Shqipëri, buxhetet, në ndonjë qytet, thanë botuesit, çojnë një libër të vetëm.

“Po marr një rast konkret, që u bë furnizimi me libra për bibliotekat e shkollave, dhe Përrenjasit i çohet vetëm 1 libër, nga e gjithë lista. Nëse e tërë drejtoria ka marrë 30, Përrenjasit i çohet një, nga tërë shtëpitë botuese 5 tituj. Si mund të bësh furnizim biblioteke me 5 libra”, tha botuesi Jani Malaj.

Me gjithë krizën financiare dhe atë të lexuesve të munguar që ose kanë ikur nga vendi, Panairi shpall të shtunën çmimet për më të mirët e këtij viti, autori, përkthyesi, libri më i mirë studimor dhe ai i librit më të mirë për fëmijë përfshirë dhe dy çmime nga ambasada franceze e polake.