Të gjithë e njohin si specialistja e librit apo si moderatorja e takimeve letrare për promovimin e librave të rinj në Durrës. Por edicioni i XXVIII i Panairit të Librit solli një tjetër angazhim profesional për Teuta Dhimën.
Ajo ishte pjesë e jurisë, krahas emrave të njohur të letrave dhe botimeve shqiptare si Maniela Sotaj, Zija Vukaj, Beti Njuma dhe Elsa Skënderi, dhe të gjithë së bashku vlerësuan autorët dhe përkthyesit më të spikatur të vitit.
Në një prononcim për “DurrësLajm”, Teuta rrëfen sesa mirë u ndje në momentin, kur ju propozua nga Shoqata e Botuesve Shqiptarë të ishte anëtare e jurisë dhe njëkohësisht ndjenjën e lartë të përgjegjësisë profesionale për të kryer sa më me përkushtim këtë angazhim të ri.
“Të them të drejtën këtë propozim e prita me shumë kënaqësi, sepse jam çdo ditë mes librave dhe një kënaqësi më vete pse jo të isha pjesë e një jurie, që do t’i vlerësonte ata. Nuk ishte kënaqësi vetëm pjesëmarrja në juri, por edhe ndarja e punës dhe bashkëpunimi me kolegë tejet profesionistë”,- thotë ndër të tjera Dhima.
E lidhur ngushtësisht me autorët dhe jetën letrare në qytetin e Durrësit, Teuta tregon se në edicionin e sivjetshëm të panairit nuk kishin sesi të mungonin shkrimtarët durrsakë, por edhe dy shtëpitë botuese “2M” dhe “Jozef”, të cilat sollën në duart e lexuesve respektivisht 10 dhe 6 botime të reja.
Një kënaqësi e veçantë për të ishte fakti se kolegu i saj i punës, Enton Bido, me përkthimin e tij nga frëngjishtja të librit “7 histori që vijnë nga larg” ishte mes 5 finalistëve për çmimin e përkthyesit më të mirë të vitit.
“Kjo ishte një kanqësi më vete, sepse Durrësi u përfaqësua jo vetëm me botime në këtë konkurs letrar, por edhe me finalist”,- thotë Dhima.
E ndërsa rrethohet nga një mori botimesh gjatë punës së saj të përditshme në bibliotekën e Durrësit, Teuta është duke punuar për librin e saj të radhës.
Dy vite më parë, ajo u prezantua para lexuesve me vëllimin e saj poetik “Pse mendohet një luledielli”, por këtë herë pritet të sjellë një botim në prozë. Se për çfarë bëhet fjalë konkretisht na e zbulon vetë Teuta në videon e mëposhtme.





