Studimet e kryera mbi autopsitë e pacientëve që kanë humbur jetën për shkak të koronavirusit kanë zbuluar se sëmundja shkakton mpiksje gjaku jo vetëm në mushkëri, por pothuajse në të gjitha organet.
Kërkimi shkencor u krye nga një universitet mjekësor në New York. Mjekja patologe Amy Rapkiewicz u shpreh se gjetjet e reja të publikuara në gazetën EClinicalMedicine muajin e kaluar janë dramatike.
Kur u zbulua në fillim, doktorët menduar se Covid-19 ishte një sëmundje respiratore si pneumonia, por rrugës zbuluan se mund të shkaktojë mpiksje gjaku.
Kjo mund të çojë në probleme më të rënda si goditjet në tru, probleme me veshkat, inflamacione të zemrës, komplikime të sistemit imunitar etj.
Më parë, doktorët kanë raportuar se mpiksja ndodh në enët e mëdha të gjakut si edhe në mushkëri, zemër, tru dhe lëkurë. Por studimi i ri sugjeron që mpiksja ndikon edhe në enët e vogla të gjakut.
“Kjo ishte dramatike pasi ne menduam se e prisnim vetëm në mushkëri, por e gjetëm pothuajse në çdo organ gjatë autopsive të kryera”, tha doktoresha.
Autopsitë zbuluan edhe një numër të lartë të qelizave të palcës kurrizore të quajtura megakariocitet. Patologia shpjegoi se zakonisht këto qeliza nuk qarkullojnë jashtë kockave apo mushkërive.
“I gjetëm në zemër, veshka, mëlçi dhe organe të tjera”, tha Rapkiewicz.