Mirëdita! Si jeni miku im? Sipas dakordësisë të lënë me propozimin tuaj për t’u takuar në datën 3 nëntor, po ju pres për t’ju takuar. Mua më ke gati. E mira është që në takimin e radhës të jeni të dy vëllezërit”, thuhej në mesazhin që biznesmeni Eduard Reçi u dërgoi më 4 nëntor 2024 Shkëlqim dhe Florjan Dukës, pas një sërë mosmarrëveshjesh për një parcelë toke dhe pasi lokali i tyre ishte shembur nga IKMT.

Dhjetë ditë pas këtij komunikimi, Reçi u ekzekutua. Sipas dosjes hetimore, të cilën prokuroria e Tiranës e ka përfunduar, dy vëllezërit Duka, akuzohen për “vrasje me paramendim”, “mbajtje pa leje të armëve” dhe “prodhim/mbajtje të armëve të ftohta”

Prokuroria sqaron se Reçi kishte vite që ndërtonte e administronte pallate dhe ambiente biznesi në Tiranë, ndërsa konfliktet me vëllezërit Duka kishin nisur për pronësinë e një pjese të tokës ku ata operonin lokalin e tyre. Sipas hetimeve, lokali i tyre rezultonte të ishte ndërtuar pjesërisht në truallin e biznesmenit, i cili u kishte kërkuar ta lironin vullnetarisht.

Grupi hetimor arrin në përfundimin se vrasja është kryer për interes pasuror dhe se Shkëlqim Duka, në bashkëpunim me vëllanë, kishte përgatitur me kujdes planin. Prokuroria rithekson se vëllezërit zgjodhën paraprakisht vendin e sulmit dhe përdorën fishekzjarrë si karrem, të cilët u hodhën në oborrin e lokalit për ta nxjerrë Reçin jashtë e më pas për ta qëlluar.

Dosja tashmë është dërguar në gjyq, ku Duka do të përballen me akuzat e rënda për ekzekutimin e biznesmenit.