Një shqiptar i shpallur në kërkim për vjedhje, u kap duke bërë “skifterin” teksa ishte në arrati.

34-vjeçari kërkohej prej tre vitesh në të gjithë Italinë, por u lokalizua rastësisht në Noveralla të Reggio Emilias gjatë fundjavës, duke kryer vjedhjen e radhës në banesën e një të moshuari, së bashku me dy bashkëpunëtorët e tij që arritën të shpëtonin.

Autoritetet thanë se shqiptari akuzohej për dhjetëra plaçkitje në seri në zonat e Romagna, por edhe në Ravena e Forlì.

Të premten, ai tentoi një grabitje në periferi të Novellarës, por u vu re dhe u arrestua ndërsa fshihej në një shtëpi fshati të braktisur. Kjo ndodhi pas një kontrolli pas një vjedhjeje në shtëpinë e një burri 66-vjeçar, i cili i habiti hajdutët dhe i trembi ata.

Dy bashkëpunëtorët arritën të zhdukeshin, ndërsa 34-vjeçari u gjet dhe u arrestua. U zbulua menjëherë se ai ishte subjekt i një urdhër-arresti të lëshuar nga autoritetet gjyqësore të Ravenës pas një dënimi me dy vjet e tetë muaj burg për vjedhjet e ndodhura në vitin 2022, informon media italiane.

Ai u gjet në posedim të mjeteve të vjedhjes me thyerje, të cilat u sekuestruan menjëherë. Gjykata ka dhënë tashmë ndaj tij masën e arrestit me burg, teksa ndodhet në dispozicion të prokurorisë për hetime të thelluara.