Policia ka arrestuar një 40-vjeçar në qytetin e Shkodrës. Ai u arrestua nga forcat blu, pasi mbante me vete armë zjarri pistoletë me municion luftarak.

Mbi 40-vjeçarin banues në fshatin Barbullush, rëndon akuza për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”. Policia ka filluar procedimin penal edhe ndaj një 16-vjeçari, të cilit iu gjet një sasi lënde e dyshuar narkotike kanabis.

Njoftimi i policisë 

Shkodër/Kontrolle intensive për evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive, goditen 1 rast në fushën e armëmbajtjes pa leje dhe 1 rast në fushën e narkotikëve. Finalizohet operacioni policor i koduar “Blic”. Sekuestrohen 1 armë zjarri pistoletë, municion luftarak dhe një sasi lënde narkotike kanabis. Vihet në pranga 40-vjeçari që posedonte pistoletën, procedohet penalisht 16-vjeçari që posedonte lëndën narkotike. Në zbatim të planit të masave për rritjen e parametrave të sigurisë, duke evidentuar dhe goditur veprimtaritë kriminale, bazuar edhe në informacionet e siguruara në rrugë informative, shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” kanë organizuar dhe finalizuar operacionin e koduar “Blic”. Gjatë operacionit, në lagjen “Liria”, shërbimet e Policisë lokalizuan dhe ndaluan automjetin me të cilin qarkullonin shtetasi M. K. dhe një 16-vjeçar.

Gjatë kontrollit fizik, 16-vjeçarit iu gjet një sasi lënde e dyshuar narkotike kanabis, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Në vijim të veprimeve, gjatë kontrollit në banesën e shtetasit M. K. u gjet 1 armë zjarri pistoletë, me municion luftarak, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Në përfundim të veprimeve procedurale, specialistët për Hetimin e Narkotikëve: arrestuan në flagrancë shtetasin M. K., 40 vjeç, banues në fshatin Barbullush, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për 16-vjeçarin, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.