Pasditen e kësaj të mërkure është publikuar premiera e filmit të shkurtër “ECHOES”, një projekt që vjen si një bashkëpunim i MBN Pictures dhe RevoKult me mbështetjen e veçantë të Aldo Dance Studio dhe Peeping Tourist, duke sjellë një gjuhë të re poetike dhe emocionale në kinemanë e metrazhit të shkurtër.
Që në sekondat e para, filmi të zhyt në një atmosferë të errët dhe të brishtë, ku heshtja është po aq e rëndësishme sa tingulli. “ECHOES” nuk ka synim të zbulojë ngjarjen që ndodh mes skenave, por të krijojë ndjesi, të trazojë nënvetëdijen dhe të lërë shikuesin të ecë nëpër kujtime të thyera që marrin formë përmes imazheve të ndërtuara me kujdes. Kjo është një histori ku asgjë nuk thuhet drejtpërdrejt, por gjithçka perceptohet në hije, në ndriçim, në lëvizje dhe në mënyrën si drita fiket papritur.
Frymëzimet artistike të filmit mbështeten në estetikën e David Lynch, në prerjet e papritura dhe tensionin surreal që të lë gjithmonë në prag të diçkaje të pashpjegueshme. Në të njëjtën kohë, ngjyrat dhe lënda vizuale mbajnë gjurmë të kinemasë italiane të epokës së artë, ku çdo pigment mbart emocion dhe çdo ambient i përgjigjet gjendjes së brendshme të personazheve. Poetika e Fellinit në Amarcord e ka ndikuar qasjen e kujtesës, e cila në “ECHOES” shfaqet si një shtresë e turbullt, shpesh e ëmbël, shpesh e dhimbshme, por gjithmonë e largët sa mjafton për të të lënë të kuptosh se jo çdo kujtim është i plotë.
Filmi është shkruar nga Aldo Mustafa, me regji dhe montazh të Matias Ndinit, prodhim të Rea Çikalit dhe drejtor fotografie Endi Tominin, të cilët së bashku kanë krijuar një univers vizual që luhatet mes realitetit dhe iluzionit. Kastit artistik i bashkohen Aldo Mustafa, Gentian Dervishi, Prajli Gega, Efrosina Garuli, Arbi Masha dhe Bianka Biçaku, duke sjellë një lojë të përmbajtur, simbolike dhe të mbështetur më shumë te prania sesa te dialogu.
Roli i fëmijëve, thelbësor për atmosferën e filmit, është realizuar falë bashkëpunimit me Aldo Dance Studio, qendrën e themeluar nga koreografi Aldo Aliaj, e cila ka dhënë një kontribut të pazëvendësueshëm me energjinë, pastërtinë emocionale dhe profesionalizmin e aktorëve të vegjël të përzgjedhur. Lëvizjet e tyre, shpesh të buta dhe plot lojë, shpesh të ftohta e të papritura, krijojnë një kontrast thelbësor me errësirën e përgjithshme të filmit.
Një element qendror i “ECHOES” është hapësira ku u xhirua, shtëpia e vjetër e Peeping Tourist Exhibition, një banesë qytetare që të çon pas në kohë, në vitet e diktaturës. Dhoma e pritjes, me divanët e asaj kohe, radion njëkanalëshe, televizorin bardhë e zi dhe karamelet tradicionale “Zana”, krijon një ndjesi të çuditshme ngrohtësie dhe rëndese historike. Objeket e ekspozuara, peshqit prej qelqi të prodhuar dikur në Kavajë, kanaçet e vjetra, suveniret Albturist dhe sendet e familjes që ruajnë kujtime të harruara, e bëjnë skenografinë e filmit të duket si një vend ku koha nuk ka lëvizur kurrë. Pas kësaj dhome, oborri i gjelbër dhe bunkeri i nëndheshëm i viteve ’70 krijojnë dy botë paralele, njëra e qetë dhe gati nostalgjike, tjetra e ngushtë, pa ajër dhe e mbushur me ankth kolektiv. Kjo hapësirë i jep filmit një dimension historik dhe emocional që nuk përmendet drejtpërdrejt, por ndihet rëndë, sikur muret vetë ruajnë diçka të pashprehur.
Në këtë univers, publiku nuk merr përgjigje, por merr një gjendje, një kombinim ankthi, nostalgjie, misteri dhe ndjesie të pazbërthyeshme, si të ecësh drejt një të vërtete që askush nuk e shqipton. E gjitha mbetet e nënkuptuar, e veshur me simbolika dhe hije që vetëm pas skenës së fundit fillojnë të marrin formë brenda trurit të shikuesit.
“ECHOES” është një film i frymëzuar nga një ngjarje reale, por i shpjeguar përmes artit, larg kronikës së drejtpërdrejtë. Ai nuk tregon çfarë ka ndodhur, por çfarë pasojash mbeten brenda njeriut. Nuk flet për ngjarjen, por për emocionin që ajo lë pas. Kjo qasje e bën filmin një eksperiencë që vazhdon pas shikimit, duke i lënë publikut hapësirë për të krijuar vetë kuptimin e tij.
Premiera e filmit është publikuar më 26 nëntor, në orën 18:00, në YouTube dhe në të gjitha platformat sociale të MBN Pictures dhe RevoKult. “ECHOES” është një krijim që flet ngadalë, por godet thellë, një histori që zhvillohet në errësirë, por ku çdo e errët është mbushur me dritën e kujtesave që nuk heshtin kurrë, sepse disa plagë nuk shërohen kurrë!





