Pas humbjes me Partizani në kampionat, Teuta duket se ka rikthyer qetësinë dhe ritmin e duhur falë eksperiencës së lojtarëve kyç, ku ndër figurat më të rëndësishme mbetet Emiliano Vila. Mesfushori i njohur, i cili këtë sezon është aktivizuar edhe në rolin e mbrojtësit të djathtë, po luan një rol të dyfishtë: si lider brenda fushës dhe si shtyllë motivimi për grupin. Në prag të sfidës delikate me Vllazninë, Vila flet për gjendjen e skuadrës, ndryshimet taktike, pritshmëritë për ndeshjet e ardhshme dhe peshën që kanë rezultatet pozitive në moralin e ekipit.

Emiljano, së pari, si po ndihesh në këtë moment të sezonit dhe si është forma jote fizike?

Ndihem mirë, kam punuar shumë për t’u rikthyer në ritmin optimal dhe besoj se jam gati të jap maksimumin. Ka pasur disa vështirësi gjatë rrugës, por tani jam i fokusuar plotësisht te ndeshjet që na presin.

Si e vlerëson fitoren ndaj Vorës dhe çfarë ndikimi pati ajo për skuadrën?

Fitorja ndaj Vorës ishte shumë e rëndësishme për ne, jo vetëm për pikët, por edhe për besimin që i dha ekipit. Ishte një ndeshje ku treguam karakter, u mbrojtëm mirë dhe goditëm në momentet e duhura. Ajo fitore na ka dhënë qetësi dhe motivim të shtuar për sfidat që vijnë, sidomos tani që po përgatitemi për përballjen me Vllazninë.

Ndeshjen e fundit ke luajtur edhe në rolin e mbrojtësit të djathtë. Si erdhi kjo lëvizje dhe si të duket pozicioni i ri?

Është një vendim i stafit teknik dhe unë e kam pritur pozitivisht. Në karrierën time kam luajtur në shumë pozicione, ndaj nuk më tremb aspak adaptimi. Mendoj se përvoja ime ndihmon ekipin edhe në këtë rol, sidomos në organizimin e lojës nga pas dhe në ruajtjen e ekuilibrave.

A e sheh këtë ndryshim roli si diçka të përkohshme apo një mundësi të re për karrierën?

Futbolli modern të kërkon fleksibilitet. Nuk e shoh si diçka të përkohshme apo permanente për mua e rëndësishme është që të ndihmoj ekipin aty ku ka nevojë. Nëse trajneri mendon se performoj mirë si mbrojtës i djathtë, unë jam plotësisht i gatshëm.

Vjen një ndeshje e rëndësishme me Vllazninë. Si e përjetoni këtë sfidë?

Vllaznia është një kundërshtar i fortë, me traditë dhe me lojtarë cilësorë. Për ne është një ndeshje që kërkon përqendrim maksimal. Luajmë për rezultat pozitiv dhe jam i bindur se nëse zbatojmë planin taktik, kemi të gjitha shanset për të marrë atë që duam.

Çfarë duhet të bëjë Teuta për të marrë rezultat pozitiv ndaj Vllaznisë?

Duhet të jemi të kujdesshëm në prapavijë, të mos lëmë hapësira në krahë dhe të shfrytëzojmë shpejtësinë përpara. Gjithashtu, na duhet qetësi në momente kyçe diçka që herë pas here na ka munguar këtë sezon. Nëse i menaxhojmë mirë detajet, mund t’ia dalim.

Si e vlerëson aspektin psikologjik të skuadrës?

Morali është i mirë, sidomos pas disa paraqitjeve pozitive. Ne kemi një grup që nuk dorëzohet, dhe nga përvoja ime, kjo është një nga armët kryesore të një ekipi që kërkon të ringrihet.

Duke qenë një nga lojtarët më me përvojë në skuadër, si e sheh rolin tënd brenda dhomave të zhveshjes?

Përpiqem t’i ndihmoj djemtë e rinj me këshilla, sidomos në aspektin e mentalitetit. Në fushe dhe jashtë saj, mund të jap shumë nga eksperienca ime. Ky është edhe një detyrim që vjen me vite karriere.