Prej më shumë se dy muajsh, nxënësit e shkollës artistike “Jan Kukuzeli” në Durrës kanë punuar për realizimin në formën më të bukur të mundshme të koncertit për festat e nëntorit.
Koncerti “Shqipëria në zemër, muzika në shpirt” mblodhi në sallën “Black box” mësues dhe prindër të nxënësve, por edhe deputetë e drejtues institucionesh në Durrës, të cilët ndoqën me emocion dhe përcollën me shumë duartrokitje çdo interpretim të instrumentistëve dhe këngëtarëve të vegjël e të rinj.
Për drejtoreshën e shkollës, Adriana Gjepali dhe drejtuesin e orkestrës, Orges Mema, ky koncert është kurorëzimi më i bukur i punës së palodhur e të përkushtuar të rreth 100 nxënësve të angazhuar në të.
Për më shumë se një orë të pranishmit ndoqën me emocion gjithë repertorin artistik me muzikë e këngë patriotike të përgatitur nga nxënësit dhe mësuesit e tyre.
Ndërkohë, në hollin e jashtëm të sallës “Black box” ishin vendosur në ekspozitë disa nga tablotë më të mira të punuara nga nxënësit e shkollës ndër vite.
Shkolla e mesme artistike në Durrës është institucioni arsimor që ka nxjerrë breza të tërë artistësh të rinj, të cilët kanë triumfuar jo vetëm në skenën e Durrësit, por edhe në skenat shqiptare e ndërkombëtare.
M.B.





