242 tituj të rinj i janë shtuar fondit të Bibliotekës së Durrësit përgjatë këtij viti.

Në total, në 5 vitet e fundit, Biblioteka publike ka pasur në dispozicion 5.8 milionë lekë të akorduara nga bashkia Durrës për pasurimin e fondit të saj me librat e hedhura në treg nga shtëpitë botuese.

Funksionale që nga shtatori i vitit 1945, biblioteka, në godinën e saj qendrore, pranë sheshit “Liria”, ka rreth 300 mijë tituj librash dhe periodikësh.

“Ne kemi një fond të mjaftueshëm për pasurimin e bibliotekës. Deri më sot që flasim ne kemi gjithsej 242 tituj të rinj, që janë blerë me fondin e akorduar nga bashkia Durrës. Lexuesit kanë çfarë kërkojnë dhe ne kemi çfarë t’u sugjerojmë, duke nisur nga librat artistikë, shkencorë, librat për fëmijë, shkollorë etj. Është një gamë shumë e gjerë. Ne gjatë të gjithë vitit kemi dhurime edhe nga shtëpitë botuese dhe nga poetë durrsakë dhe jo vendas”,– bën të ditur për “DurrësLajm” drejtoresha e bibliotekës, Mirela Ylli.

Në sallën e leximit, vizitorët e përditshëm janë zakonisht të moshuarit që lexojnë shtypin e ditës, por edhe studentët, që përforcojnë dijet e tyre me librat shkencorë, që biblioteka disponon.

Institucioni i rëndësishëm i dijes dhe kulturës në Durrës vijon ta ushtrojë aktivitetin në godinën pronë private, ku u hap fillimisht 80 vite më parë.

Pavarësisht premtimeve elektorale në 2 dekadat e fundit për një godinë të re, ato ende nuk janë materializuar në një vendimmarrje konkrete.

M.B.