Pas vrasjes së biznesmenit Edmond Mëhalla në Elbasan, hetuesit po zbulojnë çdo ditë të dhëna të reja që mund të çojnë në zbardhjen e ngjarjes.
Dyshohet se shkak për ekzekutimin e 43-vjeçarit ka qenë një konflikt për një borxh të madh ndërsa në qendër të hetimeve ka dalë një emër i njohur në zonën e Elbasanit.
Ai është 35-vjeçari Oklid El Ouejdi, i njohur me nofkat “Kiço” dhe “Oliver”, dhe i identifikuar nga komuniteti lokal si nip i personazhit të njohur “Timi i Elbasanit”.
El Ouejdi është larguar nga pika kufitare e Qafë-Thanës drejt Maqedonisë së Veriut dhe konsiderohet person kyç në dosjen hetimore.
Hetuesit po verifikojnë gjithashtu aktivitetin e biznesit “SOLEIL”, një kompani import-eksporti dhe tregtimi automjetesh e regjistruar në emër të tij që prej vitit 2018, marrëdhëniet tregtare të së cilës dyshohet se kanë shkaktuar konfliktin me Mëhallën.
Rreth 10 ditë para vrasjes, në ambientet e karburantit “Xhaxhi Oil” ka ndodhur një përplasje fizike midis dy biznesmenëve, lidhur me një marrëveshje tregtare prej rreth 700 mijë eurosh, e cila nuk ishte finalizuar.
Sipas dëshmitarëve okularë, Mëhalla ishte i revoltuar dhe përplasja ndodhi në prani të një personi që shoqëronte El Ouejdin.
Hetuesit dyshojnë se ai mund të ketë ofruar si kompensim katër apartamente në Tiranë, të cilat sipas të dhënave paraprake kishin probleme pronësie, duke tensionuar situatën.
Pas konfliktit, dyshohet se El Ouejdi ka ndërmarrë hapa për organizimin e atentatit që çoi në ekzekutimin e Mëhallës.

Deri tani për vrasjen janë arrestuar tre persona me role të ndryshme:
- Nevzat (Nevi) Spaho, nga Përrenjasi, i dyshuar si shoferi që ndihmoi autorin të largohej nga zona e Mirakës.
- Kujtim Pisha, punonjës karburanti, proceduar për moskallëzim të informacionit.
- Xhino Ago, ortak në biznes me Mëhallën, i akuzuar për mosndryshimin e pronësisë së mjetit “Audi” të përdorur në krim.
Në kërkim janë shpallur: Armando Kola, nga Laçi, dhe Marselo Arani, nga Elbasani, i cili ka thyer edhe masën e “arrestit në shtëpi” për çështje të mëparshme.
Edmond Mëhalla, i njohur si Mondi, u ekzekutua me tre plumba mbrëmjen e 30 nëntorit në Elbasan, pranë biznesit të tij.





