Ekspozita “Impresione Urbane” ka hapur dyert mbrëmjen e së premtes në Galerinë e Artit Pamor “Nikolet Vasia” të Durrësit.

Ata me profesion janë arkitektë dhe janë mjaft të njohur në fushën e tyre, por në këtë ekspozitë kolektive prezantohen me punimet në pikturë.

Bëhet fjalë për katër arkitektët e njohur Maksim Mitrojorgji, Valentin Voshtina, Pirro Stefa  dhe Olsi Plasa, të cilët kanë sjellë për atrdashësit rreth 100 punime, kryesisht peisazhe urbane të qyteteve shqiptare.

Për skulptorin e njohur durrsak Qazim Kërtusha ekspozita mbart vlera të mëdha, sidomos përsa i përket dokumentimit të zhvillimit urban në qytete të ndryshme të Shqipërisë, por njëkohësisht ai ndjen pak keqardhje që Durrësi nuk ndodhet mes 100 tablove të 4 arkitektëve.

Punimet e realizuara në 4 teknika, akuarel, vaj, pastel dhe grafika me ngjyra, pasqyrojnë kryesisht panorama të peizazhit urban nga ndërtesat, rrugicat e vjetra e deri tek qytetet historike të vendit tonë.

Ekspozita “Impresione urbane” do të qëndrojë e hapur deri më 25 Janar 2026.

M.B.