Këngëtari shkodran Alis me këngën “Nân” ka rrëmbyer çmimin e parë të Festivalit të 64 të Këngës në RTSH, duke fituar si zemrat e publikut, ashtu edhe vlerësimin maksimal të jurisë. Ky sukses i siguron artistit të drejtën për të përfaqësuar Shqipërinë në Eurovision 2026, që do të zhvillohet në Vjenë, Austri.

Performanca e Alis u veçua për potencën vokale të jashtëzakonshme, interpretimin unik dhe një mesazh universal për dashurinë, duke e bërë këngën “Nân” të prekë publikun në mënyrë të veçantë. Emocioni dhe energjia që Alis transmetoi në skenë krijuan një moment të paharrueshëm të natës finale, i shoqëruar me ovacione dhe duartrokitje të gjata.

Çmimi i parë iu dorëzua Alis nga kryetari i jurisë së Festivalit të Këngës, Ramë Lahaj. Në total, Alis grumbulloi 152 pikë nga kombinimi i votave të publikut dhe pikëve të jurisë.

Në vendin e dytë u rendit Inis Neziri me 102 pikë, ndërsa Sheila u pozicionua në vendin e tretë me 93 pikë.