Një aksident ka ndodhur në qytetin e Durrësit, ku një 13-vjeçare është përplasur nga një makinë, shoferi i të cilës është larguar nga vendngjarja.
Policia bën me dije se ngjarja ka ndodhur rreth orës 10:00 të ditës së djeshme, më 20 dhjetor, në rrugën “Mbreti Pirro”, ku e mitura u përplas nga një automjet ende i paidentifikuar, i cili më pas u largua nga vendngjarja. Sipas policisë, e mitura u dërgua në spital për mjekim dhe më pas u largua në banesën e saj. Autoritetet po punojnë për identifikimin e automjetit dhe drejtuesit të tij.
Ndërkohë po ditën e djeshme, në të njëjtin qark ndodhi një tjetër aksident, pas të cilit u zbulua një automjet i vjedhur. Oficerët e policisë arrestuan në flagrancë shtetasin me inicialet Sh. P., 27 vjeç, banues në Durrës, pasi, me automjetin që drejtonte në gjendje të dehur, të cilin dyshohet se e kishte vjedhur në Shijak, në aksin rrugor Shijak–Nishtulla ka humbur kontrollin mbi drejtimin dhe automjeti ka dalë nga rruga.
Si pasojë e aksidentit është dëmtuar vetëm 27-vjeçari, i cili ndodhet në spital, në kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.





