Komisioni i Disiplinës ka vendosur sot që të dënojë Flamurtarin me zhvillimin e disa ndeshjeve pa praninë e tifozëve, si pasojë e akteve të dhunës në stadiumin e Vlorës, ku mbështetësit e ekipit vendas hynë në fushë për t’u përleshur me lojtarët e Teutës.

Një skenë e pashembullt që ka sjellë edhe një dënim deri diku drastik, pasi Flamurtari është dënuar të luajë 8 ndeshje pa praninë e tifozëve, pa të drejtën e konvertimit të dënimit pas shlyerjes së gjysmës me nëj gjobë.

Por ironikisht, kjo shifër ndeshjesh pa tifozë që nuk mund të pezullohet, bën që mbështetësit e Flamurtarit, të kthehen përsëri nëpër stadiume vetëm në ndeshjen e javës së 26 të Superiores, të planifikuar në fundin e muajit shkurt, pikërisht përballë Teutës me të cilën plasi kaosi.

Ndeshja në fjalë sigurisht do të zhvillohet në fushën e skuadrës durrsake, por vlonjatët mund të kenë aty mbështetjen e tifozerisë së tyre pasi të mbarojë ky vendim i Superiores.