Tetë persona janë vënë në pranga në lidhje me arratisjen spektakolare të Altin Ndocit nga spitali i Durrësit, ngjarje e ndodhur një ditë më parë.
Në pranga ranë Zv/shefi i policisë së burgut (shefi ishte me leje), kryeinfermieri i spitalit dhe efektivët e policisë që u morën me shoqërimin e të burgosurit, të gjithë të dyshuar për shpërdorim detyre.
Ndalimet janë kryer nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Sistemin e Burgjeve dhe Prokuroria.
Të arrestuarit janë:
- Aulon Çuko – Kryeinfermieri
- Dezdemon Pazaj – zëvendës shefi i policisë
- Dorian Saraçi – polic shoqërimi
- Sali Ferollari – polic shoqërimi
- Preng Marvataj – polic shoqërimi
- Fation Baçi – polic shoqërimi
- Aranit Çela – polic shoqërimi
- Violeta Uka – specialiste informacioni
Rreth orës 13.00 të së martës ai është shoqëruar nga dy efektivë policie në pavionin e infektivit. Në pritje të vizitës mjekësore ai ka kërkuar të shkojë në tualet. Me të dalë nga aty ka përfituar dhe ka goditur efektivin e policisë së burgjeve që po e ruante dhe menjëherë është larguar me vrap, ku e priste një automjet tip Audi i bardhë me të cilin është larguar.
Efektivi që e ndoqi Ndocin në arratinë e tij ka qëlluar me armën e tij të shërbimit në tokë dhe plumbi ka bërë rikoshet. Predha e tij përfundoi në shkallët e Infektivit, ndërsa gëzhoja e tij nuk është gjetur ende.
Nga hetimet e deritanishme rezulton se nuk janë respektuar protokollet e shoqërimit për numrin e efektivëve të policisë së burgjeve që duhet të shoqërojnë personat e paraburgosur apo të dënuar gjatë vizitave të tyre mjekësore.
LAJMI NË PËRDITËSIM…





