Vijojnë kontrollet për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive në kufi. Vihet në pranga një 59-vjeçar në portin e Durrësit, i cili tentoi të kontrabandonte dhjetëra steka me cigare elektronike duke i fshehur në automjetin që drejtonte.

Si rezultat i kontrolleve të imtësishme të kryera ndaj shtetasve dhe mjeteve me të cilat ata lëvizin në hyrje/dalje të vendit, shërbimet e Policisë Kufitare të PKK Port, Durrës, arrestuan në dalje të Republikës së Shqipërisë shtetasin A. S., 59 vjeç, banues në Maqedoni.

Gjatë kontrollit në kamionin që drejtonte u konstatuan të fshehura 37 steka me paketa me cigare elektronike.

Stekat me cigare, një aparat celular dhe kamioni ku ky shtetas kishte fshehur mallrat, u sekuestruan në cilësinë e provave materiale.