Në Vorë, gjithçka është mbyllur në barazim 1-1, mes shumë polemikash për penalltinë e Teutës në fundin e lojës. Vora e ka gjetur shpejt golin e avantazhit e kjo në të 25’ me anë të Kasallës, që arrin të mposhtë Selmanin.
Mundohet të kundërpërgjigjet Teuta, por pa rezultat, ndërkohë që ka dhe tensione që kanë ardhur nga takat e ngritura të kundërshtarëve, ndërsa Votlai ndëshkohet me të verdhë. Por në fakt Vora ka pretenduar për më shumë dhe e verdha tashmë është për Shehin. Pjesa e dytë nis e qetë, ndërsa në të 67’ Vora ka kërkuar penallti, kjo pas përplasjes së Votlait me Dakën.
Vora më pas ka mbetur me dhjetë futbollistë, kjo pas ndërhyrjes së Tabakut ndaj Kuqit. Fundi i lojës, me gati 15 minuta vonesë, është krejtësisht i nxehtë. Shkak u bë një penallti e akorduar nga gjyqtari Olsid Ferataj në favor të Teutës në minutën e 92-të. Ferataj fillimisht sinjalizoi për pozicion jashtë loje, më pas ndryshoi vendimin duke dhënë penallti për Teutën.
Pas pesë minutave të mbushura me polemika ku nuk pati rishikim me VAR, lojtarët e Vorës vendosën të braktisin ndeshjen. Më pas u kthyen dhe goli i Teutës erdhi rreth 10 minuta pas akordimit të penalltisë.
Pas shumë polemikash, lojtarët e Vorës kanë dalë nga fusha në shenjë proteste. Dhe vetëm pas disa minutash janë kthyer në lojë, ndërsa Maçolli ka kthyer në gol penalltinë për Teutën. Në përfundim 1-1, teksa Teuta ngjitet në kuotën e 27 pikëve, kurse Vora në 24 pikë pas 21 javësh kampionati.





