Kongresmeni demokrat nga Florida, Maxwell Alejandro Frost, ka deklaruar se është goditur me grusht në fytyrë gjatë Festivalit të Filmit Sundance në Utah, në një sulm që ai e cilësoi si racist dhe politikisht të motivuar.

Në një postim në rrjetin X, Frost tha se sulmuesi i kishte thënë se “Trump do të më deportojë”, përpara se ta godiste. Sipas tij, autori bërtiste komente raciste ndërsa largohej nga vendi i ngjarjes. “Personi u arrestua dhe unë jam mirë”, shkroi kongresmeni 29-vjeçar.

Policia e Park City konfirmoi arrestimin e të dyshuarit, Christian Young, i cili u akuzua për hyrje të paligjshme dhe dy akuza për sulm të thjeshtë, me rrethana rënduese. Ngjarja ndodhi në orët e para të mëngjesit në një lokal ku po mbahej një event privat në kuadër të festivalit.

Sipas policisë, Young kishte tentuar më parë të hynte në festë pa ftesë dhe ishte larguar. Më pas ai u rikthye, hyri në mënyrë të paligjshme dhe sulmoi Frost-in si edhe një grua tjetër që ndodhej në ambient.

Mediat amerikane raportuan se sulmi ndodhi në një event të organizuar nga agjencia e talenteve CAA dhe se i dyshuari kishte shprehur hapur komente supremaciste racore përpara agresionit.

Frost, i cili ka bërë histori si afro-kubani i parë dhe përfaqësuesi i parë i Gjeneratës Z në Kongresin amerikan, tha se ndodhemi në “kohë të frikshme” dhe u bëri thirrje qytetarëve të mos heshtin përballë urrejtjes.

Udhëheqësi i pakicës demokrate në Dhomën e Përfaqësuesve, Hakeem Jeffries, e dënoi ashpër sulmin, duke kërkuar ndjekje penale të fortë ndaj autorit dhe duke theksuar se dhuna politike nuk ka vend në SHBA.